“Leskovik po fryn një erë”, vjen nga kënga, tani është erë e re, lajmi ka shkuar në çdo derë. Sinjali i Televizionit Klan ka ngjallur edhe më shumë atdhedashurinë. Duket se deri tani leskoviqarët janë ndier pak shqiptarë. Prej vitesh banorët kanë parë pak, vetëm një kanal shqiptarë dhe ekrani mbushej me më shumë informacione nga Greqia. Futja e çdo programi nga Televizioni Klan shihet si një investim për qytetin. Një natë më parë janë mbledhur e kanë parë nëpër shtëpi ekranin e vogël Klan e të nesërmen kanë uruar. Jeta përtej qytetit të tyre është lajm, bashkë me Klanin kanë shkuar edhe figurat e politikës.
“Këtu në këtë vend shikojmë vetëm grekun, ndërsa Tiranën e shikojmë shumë keq, ndërsa kur pamë Klanin mbrëmë u kënaqëm aq tepër sa e dhamë atë tonën, që bravo i qoftë.”
“Unë këtë lloj sinjali e dëshiroja, se është sinjali i së vërtetës, në radhë të parë dhe e prisja me çdo kusht ta dëgjoja të vërtetën nëpërmjet këtij lloj ekrani ose nëpërmjet kanalit të Klanit.”
“Dimë që Klani ka programe shumë të mira, të larmishme edhe ka program shumë të mirë, edhe kishim dëshirë të gjithë qytetarët për ta parë stacionin e Klanit.”
“Deri tani në rerrësirë ka qenë për sa i përket kanaleve televizive, neve kapim vetëm kanale greke këtu jo kanale shqiptare dhe kjo është një kënaqësi shumë e madhe, se dëgjojmë edhe një lajm shqip, shikojmë edhe një telenovelë shqip, një teatër, kjo është një kënaqësi dhe të gjithë njerëzit janë ngulur përpara televizorit 24 orë, nuk largohen nga televizori. Kjo është një gjë e mirë këtu për zonën tonë, që është një zonë e thellë.”
Leskoviku duket se përkthehet “pyll gështenjash”, është rreth 15 kilometra larg kufirit grek dhe 300 kilometra nga kryeqyteti. Tani, falë këtij investimi nga Televizioni Klan, kryeqyteti dhe informacioni është afruar. Programi i Klanit nuk mbush vetëm ditën e të moshuarëve, por të rinjtë e Leskovikut shohin dritë vazhdimësie.
“Kam pothuajse tre ditë që kam ardhur nga Tirana, sepse jam studente, vazhdoj shkollën e lartë atje, dhe sa herë që kam ardhur në shtëpi shikoja kanalet e grekut nuk kishte asnjë kanal shiptarë. E kam ndjekur Klanin kur kam qenë në Tiranë dhe prindërit e mi më përpara nuk dinin ansjë lloj informacioni se çfarë mund të bëhej me politikën. Me fushat e tjera.”
“ Më shumë duam shqip, jemi shqiptarë, duam të shikojmë më shumë emisione shqiptare kështu që, diçka shumë e mirë.”
Është punuar nga një grup i veçantë inxhinierësh për të çuar në vend kërkesën për më tepër informacion të 3 000 banorëve.
“Sjellja e këtij sinjali televiziv ishte në radhë të parë nevojë e vetë banorëve. Është një qytet, i cili ka vuajtur prej vitesh terrin informativ dhe do të ketë mundësi falë preokupimit dhe gatishmërisë së presidentit dhe drejtorit të Televizionit Klan, Zotit Frangaj, që ky qytet, tashmë e tutje, të ketë një mundësi tjetër informimi, të ketë një dritare tjetër. Gjithsesi unë jam njohur me këtë kërkesë të qytetarëve të mi thjesht një muaj para se të kandidoja si kryetar bashkie dhe nuk mund ta lija të injoruar një gjë të tillë. Kështu që them se e meriton qyteti i Leskovikut sinjalin e Televizionit prestigjioz kombëtar Klan.”
Leskoviku rrëzë Melesinit është qytet i ftohtë, por me njerëz mikpritës, të varfër, por që mbahen me migracion dhe prodhimin vendas të verës dhe rakisë, e që bashkë me këto do t’u shkojë për shtat edhe përcjellja e informacioneve shqip nga Televizioni Klan./tvklan.al