Rumania është një nga shtetet europiane të goditura rëndë nga koronavirusi Covid-19. Rritja e infektimeve ditore është e lartë dhe spitalet në disa qytete janë në kolaps.

Autoritetet shëndetësore rumune raportuan se në 2 Nëntor, gjatë 24 orëve humbën jetën 591 persona të infektuar me Covid, ndërsa numri mesatar ditor i vdekjeve është rreth 500. Po kështu, edhe vaksinimi në Rumani është me ritme të ulëta dhe është një nga shtetet me ecurinë më të ngadaltë në këtë proces.

Qyteti i Buzaut, në veri të Bukureshtit, po përballet aktualisht me një situatë të rëndë nga pandemia. Në spitale nuk ka më shtretër për të sëmurët. Pacientët të cilët paraqiten në spital, mjekët i vendosin nëpër makina te zona e parkingut me oksigjen. Shkak është mungesa e shtretërve të lirë për shkak të numrit të lartë të personave të infektuar.

Kemi që dje nga ora 01:00 në makinë. Infermierja na ka shpjeguar se si të përdorim tubin e oksigjenit, ka shumë njerëz në spital dhe nuk e përballojnë dot. Ka shumë presion, janë dy infermiere për 70 pacientë”, tha i afërmi i një pacienti rumun që po qëndron i shtruar në makinë.

Mjekët e konsiderojnë situatën dramatike. Ata thonë se shumë prej pacientëve që i kanë vendosur në parkingun e spitalit, janë të pavaksinuar dhe shkojnë në spital shumë vonë. Disa prej tyre kanë mushkëri të dëmtuara rëndë, deri në masën 50%. /tvklan.al