Radev – Pendarovskit: Vetëm pas futjes së bullgarëve në Kushtetutë

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, ka deklaruar se konform rregullave të tregut energjetik evropian dhe ligjeve bullgare, Bullgaria është e gatshme ta rrisë eksportin e energjisë në Maqedoninë e Veriut.

Ai ka shtuar se gjatë ditës së djeshme së bashku me Presidentin e RMV-së, Stevo Pendarovskin dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë biseduar për mundësitë që BE-ja financiarisht t`i mbështesë mundësitë e Maqedonisë së Veriut për shmangien e krizës eventuale të likuiditetit gjatë dimrit lidhur me furnizimin me rrymë elektrike.

Sipas Presidentit bullgar Radev, negociatat e tjera politike midis dy vendeve zhvillohen në atmosferë të respektit të ndërsjellë, por siç tha Presidenti bullgar, është shumë e rëndësishme që në RMV të kuptohet se zbatimi i obligimeve dypalëshe duhet të vazhdojë sa më shpejtë të jetë e mundur.

“Pres që burrështetasit në vendin tonë mik të tregojnë mençuri politike dhe ta ndërtojnë të ardhmen evropiane të RMV-së, të liruar nga ideologjitë e së kaluarës”.

Radev ka bërë të ditur se ende nuk kanë filluar negociatat reale për anëtarësimin e RMV-së në BE, konform kornizës negociuese, kurse do të nisin, siç tha, kur RMV-ja t’i fusë bullgarët në Kushtetutë.

Klan Maqedonia