Garohet në 44 komuna nga 80 të tilla

Më shumë se 1 milionë e 300 mijë qytetarë me të drejtë vote në Maqedoninë e Veriut janë thirrur për të votuar sot në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale. Në 44 komuna nga 80 të tilla që ka Maqedonia e Veriut, si dhe për kryetarin e Shkupit, që është njësi e veçantë e pushtetit lokal votohet këtë dielë. LSDM-ja garon në 30 komuna, VMRO DPMNE-ja në 25, BDI-ja në 13, Aleanca për Shqiptarët në 7, Lëvizja Besa në dy dhe në një komunë, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare.

Në raundin e parë, më 17 Tetor janë zgjedhur 34 kryetarë të komunave, 22 prej të cilëve u fituan nga kandidatët e opozitës që drejtohet nga VMRO-DPMNE, ndërsa 9 u fituan nga kandidatët e LSDM-së dhe 3 nga përfaqësuesit e Bashkimit Demokratik për Integrim. Për një pjesë të madhe të komunave me shumicë shqiptare votohet në këtë raund të dytë. Deri pas mesditës pjesëmarrja në zgjedhje ishte afro 30 përqind.

Nga autoritetet deklarohet se procesi ka ecur normalisht dhe nuk janë raportuar probleme që mund të cënojnë mbarëvajtjen e votimeve, përveç disa problematikave të karakterit teknik. Gjithsesi edhe Maqedonia e veriut duket e prekur nga fenomeni i shit-blerjes së votës, dje janë arrestuar dy persona të dyshuar për blerje të votave,  Procesi i balotazhit është nën vëzhgimin e Prokurorisë Publike. Gara më e nxehtë pritet në Komunat e Shkupit, Tetovës, Gostivarit e Strugës.

Klan Macedonia