19 persona, shqiptarë dhe shtetas të huaj, u arrestuan në bazë të një operacioni të zhvilluar nga SPAK në bashkëpunim me autoritetet franceze kundër trafikut të lëndëve narkotike, kryesisht të kokainës dhe heroinës.

Tre prej tyre, Redian Doda, Zabit Fisniku dhe Fabi Isaku u ndaluan në Shqipëri, ku me vendim të Gjykatës së Posaçme gjithashtu u ushtruan dhjetra kontrolle në banesa dhe biznese.

SPAK thotë zyrtarisht se grupi kriminal që furnizonte shpërndarësit e drogave në zona të ndryshme të Francës, drejtohej nga Redian Doda, i cili qëndronte në Shqipëri.

Këtij të fundit gjithashtu iu vu në sekuestro edhe një llogari bankare në shumën 20 mijë Euro.

Nga kontrollet e ushtruara në vendin tonë u sekuestruan 15 makina, mbi 34 mijë Euro, aparate celularë dhe dokumente të ndryshme.

Grupi hetimor i përbashkët me Francën ka përllogaritur se sasia e drogës së sekuestruar këtyre personave gjatë hetimeve dhe operacionit kap vlerën e 1 milion Eurove.

Tv Klan