Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sekuestruar sot pasurinë e tre ish-gjyqtarëve që janë larguar pas procesit të rivlerësimit si pjesë e Reformës në Drejtësi.

Mësohet se SPAK ka nisur një hetim që në datën 7 Maj të vitit 2020 për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Në përfundim të hetimeve SPAK ka vendosur që të sekuestrojë pasurinë e Fatos Lulo, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Bashkim Dedja, ish-Kryetar në Gjykatën Kushtetuese dhe Shkëlzen Selimi, ish- gjyqtar në Gjykatën e Lartë. Prokuroria e Posaçme bën me dije se nga hetimi rezultoi se ata kishin pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur “sekuestro mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Fatos Lulo, me sipërfaqe 172 m2, e llojit Njësi/Dyqan, e ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë“. Po ashtu është sekuestruar dhe pasuria e Bashkim Dedja, që është një apartament me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.

Ndërkohë gjykata ka vendosur dhe sekuestrimin e pasurive të ish-gjyqtarit Shkëlzen Selimi, i cili ka në pronësi disa prona në Vlorë

“(50%) e pasurisë e llojit truall 432 m2 dhe objekt 132.25 m2 Karburant/Pikë Tregtimi, me vendndodhje Shetitore Lungomare, Vlorë. Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 2400 m2 (pasuri e përbërë nga bashkim pasurish), e ndodhur Jonufër, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi. 55% e pasurisë e llojit truall, me sipërfaqe 764 m2 dhe godinë me sipërfaqe 57 m2, Karburant, e ndodhur në Rrugën Transballkanike, Vlorë, në pronësi të shtetasit Kujtim Selimi“, njofton SPAK. /tvklan.al