Trajneri Luçiano Spalletti deklaron se Italia është gati për të debutuar në Euro 2024. Sfida e parë do të jetë kundër Shqipërisë së Sylvinhos.

Në konferencën për shtyp përpara takimit, tekniku I të kaltërve tha se Barela është rekuperuar, ndërsa nuk i fsheh emocionet.

Luçiano Spalletti, trajner i Italisë: Emocioni nga pikëpamja ime është i madh, por me kalimin e orëve bëhet fantastik dhe jo..toksik. Jemi në një vend fantastik për të luajtur një ndeshjer shumë të bukur. Ndeshja është e vështirë sepse Silvinjo i ka dhënë ekuilibër ekipit të tij dhe do të luajmë ndaj futbollistëve që e njohin mirë kampionatin tonë. Ramadani, Asllani, Bajrami e Hysaj e dinë kush jemi dhe do të jetë përballje e fortë. Luajmë edhe për 60 milionë tifozët tanë.

Kapiteni Xhanluixhi Donaruma e pranon se me kuqezinjtë nuk do të jetë aspak e lehtë.

Gianluiggi Donnarumma, kapiten i Italisë: Për mua është një ekip i shpejtë, me lojtarë të fortë individualisht. Duhet të jemi të kujdesshëm të mos dalim shumë përpara dhe të lëmë hapësira në kundërsulme. Do të duhet kompaktësi dhe ekuilibër për të gjithë takimin. Të fitosh do të thotë të vendosësh një tullë për kualifikimin. Ndeshja e parë është gjithnjë e rëndësishme. Grupi është i vështirë dhe të marrësh tri pikët ka rëndësi. Ndryshe në të dy ndeshjet e mbetura do të kemi edhe më shumë presion.

Përballja e të shtunës mbrëma si edhe ndeshjet e tjera të Euro 2024 do të transmetohen ekluzivisht në televizionin Klan.

Klan News