Autoritetet kanë bërë thirrje në disa province spanjolle për kursim uji, në Gjermani është aktivizuar alarmi për zjarre

Qeveria e Spanjës ka lëshuar të tjera alarme për temperatura të larta që pritet të përfshijnë disa rajone përgjatë fundjavës.

Vala e furishme e të nxehtit thuhet se ka marrë mbi 2,000 jetë që nga Korriku. Qeveritë e provincave në pjesët qendrore, perëndimore dhe jugore të vendit thonë se shpresojnë që këto alarme mund të ndihmojnë në zgjimin e ndërgjegjësimit të publikut.

Agjencia Meteorologjike Spanjolle ka bërë të ditur se 38 nga 50 provincat në vend po përjetojnë mot ekstrem nën alarme portokalli dhe të verdhë. Sipas një raporti, vendi po përjeton një nga verat më të nxehta në histori, me valë të mëdha të nxehtit që vijnë më herët se zakonisht gjatë vitit, në qershor dhe vazhdojnë deri në korrik, duke marrë jetë njerëzish.

Akulli është bërë një produkt më të përdorura në baret dhe restorantet spanjolle. Autoritetet i kanë bërë thirrje njerëzve që të kursejnë blerjen e këtij produkti si dhe ujin e pijshëm. Disa supermarkete, në Spanjë, kanë filluar të kufizojnë shitjet pasi kërkesa është shumë e madhe.

Një valë e nxehtë me temperatura deri në 37 gradë Celsius i lejoi gjermanët të përdorin metoda të ndryshme për t’u freskuar. Disa banorë në Frankfurt shfrytëzuan pishinat si e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar vapës përvëluese.

Shërbimi Meteorologjik Gjerman paralajmëroi për një probabilitet të lartë të zjarreve në Gjermani. Vala e tretë e të nxehtit ekstrem në Francë ka ngritur shqetësimin se një pjesë e madhe e asfalteve mund të shkrihen për shkak të temperaturave të larta.

Parisi renditet ndër vendet e fundit për mungesën e gjelbërimit. Sipas të dhënave nga Forumi Kulturor i Qyteteve Botërore, vetëm 10% e Parisit përbëhet nga hapësira të gjelbra si parqe dhe kopshte krahasuar me Londrën me 33% dhe Oslo me 68%.

Klan News