Spartak Koka: Në rast se hakerat publikojnë MEMEX-in, rrëzohet e gjithë Policia e Shtetit


Spartak Koka: Në rast se hakerat publikojnë MEMEX-in, rrëzohet e gjithë Policia e Shtetit

22:43 03/10/2022

Gazetari Spartak Koka thotë se lista e publikuar nga hakerat iranianë me personat e dyshuar të policisë, nuk i përket sistemit MEMEX të Policisë Shqiptare, por i ngjan më shumë sistemit të Deep Ssea.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, gazetari Koka u shpreh se nëse hakerat kanë arritur të marrin sitemin MEMEX dhe e publikojnë në rrjetet sociale, atëherë e gjithë puna 25-vjeçare e Policisë së Shtetit do të shkatërrohet.

“Në rast se publikohet MEMEX, uroj që të mos publikohet dhe të mos ketë pasur qasje, i bie që e gjithë organizata e policisë për 25 vite punë kriminale të rrëzohet dhe gjithçka të bëhet publike. Dhe këtu të parët që do të cënohen janë informatorët, të dytët do të jenë specialistët e policisë të cilët të detyruar nga puna e përditshme operative që bëjnë kanë dhënë informacione dhe ne e dime në jo pak raste kur edhe janë dekonspiruar informacionet brenda policisë ka patur përplasja, ka patur hakmarrje ndaj këtyre personave që i kanë dhënë”, theksoi gazetari Koka.

Gazetari tregoi edhe kur ka nisur funksionimin për herë të parë sistemi MEMEX.

“Sistemi i menaxhimit të informacionit është vënë për herë të parë, MEMEX, në vitin 2008 nga 23 Marsi dhe që në atë kohë ka patur vazhdimisht përditësime, por struktura e sistemit nuk ka ndryshuar. Vetëm nëpërmjet aksesimit të këtij sistemi krijon profilizimin tip të personit”, është shprehur Koka.

Gazetari Spartak Koka theksoi se në listat që kanë dalë sot ka edhe persona që nuk janë me precedent kriminal, por janë edhe kallëzuesit apo të kallëzuarit.  /tvklan.al












Të ngjashme