Ky filmim tregon momentet e shkëmbimit të zjarrit mes forcave speciale të policisë ruse dhe disa militantëve të armatosur që mbrëmjen e të Dielës, sulmuan dy kisha ortodokse, një sinagogë dhe një rajon policie në sulme terroriste në zona të ndryshme në Dagestan të Rusisë.

19 policë dhe një numër ende i papërcaktuar civilësh humbën jetën ndër të cilët edhe një prift ortodoks që drejtonte një shërbesë të posaçme fetare në Mahaçkala, qyteti më i madh i rajonit, i ndodhur buzë Kaspikut.Bilanci përfshin edhe viktimat në Derbent, një tjetër qytet po ashtu buzë Kaspikut ku ndodhën sulmet që mesa duket ishin të koordinuara.

Forcat speciale të policisë ruse vranë 6 persona të armatosur që morën pjesë në sulm. Nuk dihet ende nëse ka patur të tjerë. Në Derbent, përveçse sulmuan me armë besimtarët e grumbulluar, u vunë flakën edhe një kishe dhe një sinagoge.

Autoritetet ruse ende nuk kanë dhënë asnjë detaj për autorët, të cilët janë në proces identifikimi. Megjithatë, rajoni i Dagestanit është ndër më të varfrit në Rusi. Për 10 vite me radhë duke nisur nga 2007, në gjithë rajonin ka qenë aktive një organizatë ekstremiste islamike që kërkonte ngritjen e një Emirati Islamik në këtë rajon dhe që kreu vazhdimisht sulme terroriste, duke e shtrirë dhunën edhe në Çeçeni.

Tv Klan