Ushtria izraelite thotë se ka vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në një seri sulmesh në periferi të Bejrutit, në Liban.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetin social X, ushtria izraelite ka shkruar: “Hassan Nasrallah nuk do të jetë më në gjendje të terrorizojë botën”.

Disa orë më parë u raportua nga mediat botërore se sulmet raketore të Izraelit në periferi të Bejrutit synonin vrasjen e liderit të Hezbollahut.

Nga Hezbollahu nuk ka reagim ende.

Shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite, Herzi Halevi, deklaroi në një komunikim publik se vrasja e liderit të Hezbollahut në Liban është një mesazh shumë i qartë për këdo që kërcënon qytetarët izraelitë.

“Mesazhi është shumë i qartë, kushdo që kërcënon qytetarët izraelitë, ne dimë se si të shkojmë tek ata, në veri, në jug apo më larg”, tha Halevi.

Pavarësisht vrasjes së liderit të Hezbollahut, Shefi i Shtabit të Ushtrisë Izraelite u shpreh se ky nuk është fundi i operacioneve ushtarake dhe ofensivat do të vazhdojnë.

Bashkë me Nasrallahun, nga sulmet raketore të Izraelit u vranë edhe disa drejtues të tjerë të Hezbollahut që ndodheshin bashkë me të.

Hassan Nasrallah është udhëheqës i lëvizjes militante të Hezbollahut në Liban, dhe një nga figurat më me ndikim në Lindjen e Mesme. Prej vitesh ai nuk është parë në publik, pasi i frikësohej faktit se mund të vritej nga Izraeli.

Hezbollahu mbështetet nga Irani. Si e tillë, edhe Hassan Nasrallah ka lidhje të ngushta me Iranin.

Hezbollahu, nën udhëheqjen e Nasrallah, ka ndihmuar në stërvitjen e luftëtarëve të armatosur të grupit palestinez Hamas, si dhe milicitë në Irak e Jemen, sikundër ka marrë edhe raketa nga Irani që i ka përdorur kundër Izraelit.

/tvklan.al