Kombëtarja shqiptare do të nis pas pak ditëve përgatitjen për sfidat ndaj Republikës Çeke dhe Gjeorgjisë. Teste tepër të vështira në letër për llogari të Ligës së Kombeve, me trajnerin Sylvinho që duhet të gjej organikën e duhur për të marrë maksimumin e pikëve.

Reparti që shqetëson stafin teknik është sulmi dhe më tepër qendra e saj. Armando Broja dhe Rey Manaj janë në fazë rikuperimi për shkak dëmtimi, për të qenë në dyshim nëse do të marrin ftesë. Broja i cili është pjesë e skuadrës së Evertonit, është jashtë fushës që prej muajit Gusht.

Nga ana tjetër, edhe Manaj ka munguar në dy ndeshjet e fundit të Sivassporit. Sulmuesi u largua i dëmtuar nga fusha më 14 Shtator, në ndeshjen e skuadrës së tij ndaj Gaziantepit. Sfidë në të cilën Rey Manaj kishte shënuar golin e vetëm që rezultoi edhe ai i fitores për Sivasspor.

Lajm i mirë mund të konsiderohet forma që po kalon Mirlind Daku, që tashmë ka shlyer edhe dënimin nga UEFA e do jetë në dispozicion të kuqezinjve për sfidat e këtij muaji. Për majën e sulmit, Sylvinho shikon alternativë edhe Myrto Uzunin, i cili po përjeton një moment të mirë në La Ligën 2 spanjolle.

Megjithatë, duke e njohur Sylvinhon, nuk do të ishte çudi nëse në listën e Kombëtares për ndeshjet ndaj Çekisë dhe Gjeorgjisë do të kishte një emër surprizë për qendrën e sulmit.

Klan News