Shqipëria ka çelur zyrtarisht ambasadën e saj në Ukrainë. Tirana zyrtare ka qenë prezente në Ukrainë më parë nëpërmjet konsullatës, por tashmë ka marrë vendimin që të ketë ambasadë.

E kështu ambasadori i Shqipërisë në Ukrainë do të jetë Ernal Filo. Ai i ka dorëzuar letrat kredenciale zv/ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Yevhen Perebijnis. Ky i fundit uroi Filon për nisjen e misionit të tij diplomatik dhe përshëndeti vendimin e qeverisë shqiptare për të hapur ambasadën.

“Ky është një hap historik në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale mes Ukrainës dhe Shqipërisë”, tha ai.

Zv/ministri ukrainas shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë në luftën kundër Rusisë.

“Ata diskutuan për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Formulën e Paqes së Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, mbështetjen e vendit për anëtarësimin e Ukrainës në NATO si dhe ndërveprimin e dy shteteve në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, njoftoi ministria e Jashtme ukrainase.

Ndërkohë ambasadori shqiptar ka siguruar qëndrimin e pandryshueshëm të Shqipërisë në lidhje me integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës si dhe ka konfirmuar vullnetin për të zhvilluar më tej marrëdhëniet miqësore./tvklan.al