Gjykata Europiane e Drejtësisë ka vendosur se disa rregulla të FIFA-s për transferimet e futbollistëve bien ndesh me legjislacionin e Bashkimit Europian në lidhje me konkurrencën dhe lirinë e lëvizjes.

“Rregullat në fjalë janë të tilla që pengojnë lëvizjen e lirë të futbollistëve profesionistë që duan të zhvillojnë aktivitetin e tyre në një klub të ri”, shkruhet në njoftimin e gjykatës me qendër në Luksemburg.

Gjithçka erdhi pasi ish-futbollisti francez Lassana Diarra kërkoi të ndërpriste para kohe kontratën me Lokomotiv Moskva me pretendimet se ishte i pakënaqur me uljen e pagës.

FIFA nuk pranoi të lëshonte Certifikatë Ndërkombëtare Transferimit, duke e ndaluar të firmoste për belgët e Charleroi. Ndaj Diarra u detyrua të paguante më shumë se 10 milionë Euro dëmshpërblim Lokomotiv Moskva.

Kjo hapi një betejë të ashpër ligjore mes palëve, e cila u finalizua me vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë, e cila i dha të drejtë futbollistit.

Ky vendim mund të ndikojë në rregulloren e transferimeve në FIFA.

Tv Klan