Një sherr mes dy familjeve shqiptare ka përfunduar me vdekjen e një personi. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane fillimisht mes tyre ka patur një debat të nxehtë me fjalë. Por gjithçka përfundoi keq.

38-vjeçari Dritan Idrizi mori 3 goditje me thikë, duke humbur jetën. Katër persona të tjerë mbetën të lënduar. Ngjarja ndodhi në Marignano. Autor i kësaj ngjarje është po ashtu shqiptar, por identiteti i tij nuk është bërë i ditur.

Viktima, i shoqëruar nga disa të afërm të pajisur me shkopinj shkuan për t’u “sqaruar” me një familje tjetër shqiptare. Sipas informacioneve paraprake, viktima kishte për të marrë 5 mijë euro për një punë ndërtimi që pretendonte se kishte bërë.

Pasi familja tjetër nuk kishte ndërmend të paguante, në mes të rrugës shpërtheu një sherr i fortë derisa dikush kishte marrë një thikë me vete. 38-vjeçari Idrizi u godit tre herë në kraharor.

Ai u dërgua në spital, por më kot. Sa i përket të lënduarve të tjerë, të paktën 3 prej tyre kanë marrë dëmtime të rënda që duan deri në 40 ditë të shërohen.

Deri më tani nuk është arrestuar asnjë person. Karabinierët e Pesaro-s kanë nisur hetimet për vrasje, tentativë vrasje dhe dëmtime të rënda./tvklan.al