Plagosen Mentor dhe Xhelal Hasanaj, shkak dyshohet hakmarrja

Shkodra është tronditur sërish, këtë herë nga një atentat me armë zjarri. Shefit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe Mentor Hasanaj, i është ngritur pritë, në Dobraç të Shkodrës, pranë rrethrrotullimit të “5 heronjve”. Në makinë me 39-vjeçarin Mentor Hasanaj ishte edhe babai i tij Xhelal Hasanaj 74 vjeç, i cili ka ngelur i plagosur, ndërsa bashkëshortja Vjollca Hasanaj, u ka shpëtuar plumbave.

Mentor Hasanaj është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është sjellë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa Xhelal Hasanaj po merr trajtim në Spitalin e Shkodrës. Siç dallohet edhe nga pamjet, drejt makinës së Policisë Bashkiake është qëlluar disa herë. Policia e Shkodrës thotë se të paktën 5 herë u qëllua drejt makinës ku udhëtonte familja Hasanaj.

Autori ishte me motor dhe ka qëlluar në lëvizje. Paraprakisht dyshohet se shkak i atentatit mund të jetë hakmarrja, por Policia e Shkodrës po vijon hetimet, edhe për ndonjë konflikt për shkak të detyrës.

Disa orë më pas, policia gjeti motoçikletën, e cila u përdor për të kryer atentatin ndaj Drejtorit të Policisë Bashkiake. Burimet bëjnë me dije se ajo gjetur rreth 500 metra nga vendi në të cilin është kryer atentati. 3 persona janë shoqëruar, që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen.

Tv Klan