Bashkimi Evropian ka kërcënuar sot Turqinë se mund të vendosë sanksione, lidhur ‘provokimet dhe tensionet’ e shkaktuara në detin Mesdhe për kufirin detar me Greqinë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në një deklaratë i bëri thirrje Ankarasë “të përmbahet nga veprimet e njëanshme” në Mesdheun lindor.

Ajo foli sot në orët e para të mëngjesit gjatë një takimi të udhëheqësve të BE në Bruksel. Von der Leyen u tha gazetarëve se BE donte “një marrëdhënie pozitive dhe konstruktive me Turqinë dhe kjo do të ishte gjithashtu në interes të Ankarasë“.

Kjo do të funksionojë vetëm nëse provokimet dhe presionet ndalojnë. Ne presim që Turqia tani e tutje të përmbahet nga veprimet e njëanshme. Në rast të veprimeve të tilla nga Ankaraja, BE do të përdorë të gjitha instrumentet dhe opsionet e saj në dispozicion. Ne kemi shumë mjete që mund t’i zbatojmë menjëherë“, u shpreh Presidentja.

Turqia dhe Greqia prej javësh kanë shtuar retorikën dhe janë gati për luftë. Pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, dy vendet kanë nisur bisedimet për të ulur rrezikun e përplasjeve në rajon./tvklan.al