Tetori do të rikthejë në fushë kombëtaren shqiptare të femrave. Kuqezezat do të përballen me Norvegjinë në kuadër të raundit të parë play-off të Kampionatit Europian “Zvicër 2025”. Takimi i parë do të luhet në Shqipëri, më 25 tetor 2024, teksa vendi dhe ora do të përcaktohen në ditët në vijim.

Katër ditë më vonë, më 29 tetor, kombëtarja kuqezi do të udhëtojë drejt Oslos për të zhvilluar ndeshjen e dytë ndaj Norvegjisë. Edhe për këtë takim, vendi dhe ora mbeten për t’u përcaktuar. Në rast se skuadra kuqezi kalon me sukses Norvegjinë, në raundin e dytë të play off-it do të përballet me fituesen e çiftit Kroaci-Irlandë e Veriut.

Përfaqësuesja shqiptare e femrave kaloi në raundin e parë të play off-it pas suksesit në ndeshjet kualifikuese, ku dominuan dhe u renditën të parat në grupin C5 me 9 pikë në total. Nën drejtimin e trajnerit Amir Grima, Kombëtarja regjistroi tre fitore dhe një humbje dhe falë këtij suksesi Shqipëria siguroi edhe ngjitjen për në Ligën B në edicionin e radhës të Ligës së Kombeve.

Klan News