Turqia dhe Armenia i rifilluan të martën bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve, pas një ndërprerjeje dyvjeçare, dhe u pajtuan për t’i thjeshtëzuar rregullat e vizave për disa bartës pasaportash, thanë këto dy vende.

Ankaraja i prishi marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me Jerevanin në vitin 1993, pasi e mbështeti Azerbajxhanin gjatë luftës së tij me Armeninë për rajonin Nagorno-Karabak. Në vitet e fundit, Turqia i ka forcuar lidhjet me azerbajxhanasit me përkatësi etnike turke.

Prej se përfundoi konflikti në Nagorno-Karabak, Turqia ka kërkuar t’i përmirësojë marrëdhëniet historikisht të tensionuara me Armeninë. Por, ajo ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve varet nga përparimi në bisedimet për paqe mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Të dërguarit e posaçëm të Turqisë dhe Armenisë mbajtën rundin e pestë të bisedimeve të martën në kufirin që ndahen dy vendet, thanë Ministritë e Jashtme të të dyja vendeve në një komunikatë për media.

Ata u pajtuan që të bëhet vlerësimi i kushteve teknike për rihapjen e pikë kalimit kufitar Akyaka-Akhuik për transportin hekurudhor, si dhe për thjeshtëzimin e procedurave dypalëshe për vizat për bartësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, thuhet në komunikatë.

Palët gjithashtu rikonfirmuan përkushtimin për normalizimin e marrëdhënieve paparakushte, por nuk treguan se kur do të mbahet rundi i radhës i bisedimeve.

Turqia dhe Armenia për kohë të gjatë kanë pasur mosmarrëveshje, kryesisht për shkak të 1.5 milion armenëve të cilët Jerevani thotë se u vranë më 1915 nga Perandoria Osmane, paraardhësja e Turqisë së sotme.

Armenia thotë se kjo përbën gjenocid. Turqia e pranon se shumë armenë që jetuan në Perandorinë Osmane u vranë në betejat me forcat osmane gjatë Luftës së Parë Botërore, por e kundërshton shifrën dhe e mohon se ka pasur gjenocid./REL