Nga data 23 Mars 2020, ndërpriten të gjitha fluturimet, përveç kompanisë Air Albania që vazhdon të fluturojë për dhe nga Stambolli.

“Në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit (COVID-19), sipas njoftimit të Autoritetit të Aviacionit Civil duke filluar nga data 23 Mars 2020, ndërpriten të gjitha fluturimet për dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës deri në një njoftim të dytë. Vetëm Air Albania do të vazhdojë fluturimin për dhe nga Stambolli” thuhet në një njoftim të publikuar në faqen e Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit.

“Aeroporti mbetet i hapur për të gjitha fluturimet humanitare, fluturimet e riatdhesimit, fluturimet e ngarkesës së mallrave dhe çdo fluturim tjetër që i shërben lehtësimit dhe kapërcimit të kësaj sfide të madhe për të gjithë ne”, tha Shefi i Përgjithshëm Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, Dr. Constantin von Alvensleben.

“Për veprime të mëtejshme, këshillojmë pasagjerët që të kontaktojnë kompaninë ajrore apo agjencitë e udhëtimit. Faleminderit për bashkëpunimin, Tirana International Airport”, e mbyll njoftimin TIA.

Edhe Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale njoftoi ndërprerjen e fluturimeve: “Nga nesër, 22 Mars, ora 23.59, aeroporti “Nënë Tereza” mbyllet për hyrje-daljet me Gjermaninë, Austrinë, Zvicrën dhe Hungarinë!/tvklan.al