TIA sërish nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës



TIA sërish nën hetim nga Autoriteti i Konkurrencës

16:15 03/03/2020

“Tarifat janë më të larta se ato që gjenden në biznes-plan”

Autoriteti i Konkurrencës do të nisë sërish një tjetër hetim për koncesionarin e Aeroportit të Tiranës, duke patur në fokus tarifat e larta që i vendosen linjave të fluturimit, çka e bën Shqipërinë vendin me çmimet më të shtrenjta të biletave në rajon dhe Europë.

Në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvend, Konkurrenca thotë se edhe pse kërkoi rishikimin e pavarur ekonomik të kontratës që shteti ka me Rinasin, raporti i hartuar nga konsulenti i pavarur nuk është reflektuar akoma në uljen e tarifave, çka e detyron atë si autoritet që të nisë një tjetër hetim të këtij tregu.

“Sipas raportit të Rishikimit të Pavarur Ekonomik të Kontratës Koncesionare të Aeroportit të Tiranës, vërehet se tarifat për shërbimet në tokë dhe ato për uljen dhe ngritjen e avionit janë dukshëm më të larta se sa normat e paraqitura në planin e biznesit të kompanisë”.

Një tjetër element që do të jetë objekt i hetimit, është edhe mënyra se si janë përcaktuar tarifat për operatorët dhe a janë të mbështetura në kosto.

“Nuk arrihet të evidentohet nëse tarifat që përcaktojnë këto anekse janë të mbështetura në ndonjë metodologji të përcaktimit të këtyre tarifave për operatorët; mbështetur në koston e ofrimit të këtyre shërbimeve”.

Aeroporti i Tiranës ka qenë edhe njëherë objekt i hetimit nga ana e Autoritetit të Konkurrencës pasi operon në një situatë monopol, si i vetmi operator që ofron shërbimin e fluturimeve në Shqipëri.

Në fazën e parë është konstatuar se kompania realizon fitime të larta për shkak të tarifave që u vendos linjave ajrore, të cilat përbëjnë 25% të çmimit të biletës dhe i ka rekomanduar Kuvendit marrjen e masave për uljen e tyre.

Tv Klan






Të ngjashme