Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Është një ngjarje për Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, muzikali West Side Story, ose e thënë shqip, “Historia e anës perëndimore”. Një mirazh i botës përtej oqeanit vjen dhe gjallërohet në skenën tonë. Jeta e Nju Jorkut dhe një ripërshtatje e  historisë më të famshme të dashurisë Romeo dhe Zhulieta nga Jerome Robbins, do të shfaqet në skenën e TKOB përmes shumë gjuhësh të artit, Arie dhe Jaz, dialog dhe kërcim, dashuri dhe ndarje, jetë dhe vdekje.

Është historia e anës perëndimore, e cila sjell jetën në kompleksin e saj. Provat kanë nisur prej disa javësh dhe vetëm pak ditë përpara premierës regjisorja amerikane Nensi Rots, jep vlerësimet e saj më të mira për bashkëpunimin me artistët shqiptarë.

“Po punojmë vërtetë shumë, ditë dhe natë, por mund të theksojë, se këtu kam gjetur këngëtarë dhe balerinë shumë të zotë. West Side Story është një muzikal që është pëlqyer shumë në Amerikë dhe shpresoj që të ndodh e njëjta dhe me publikun shqiptar. Më kanë thënë se është një risi për skenën shqiptare dhe kjo na i shton përgjegjësitë, por do të shkojë mirë”.

West Side Story është një muzikal me dy akte me muzikë të Leonard Bernstein dhe skenar të Arthur Laurents, mund të quhet një bashkëpunim shqiptaro-amerikan pasi veç regjisores Rots për shfaqen po punojnë edhe koreografi e regjisori amerikanë.

Muzikali West Side Story, do të ngjisë në skenë solistët e Operës dhe Baletit Vikena Kamenicën, Dorina Selimaj, Eriona Gjyzelin, Sidrit Bejlerin, si dhe balerinët Enada Hoxha dhe Gerti Vaso./tvklan.al

Gazetare: Mira Kazhani