Publikohet lista për sfidat me Andorrën dhe Francën

Mes të grumbulluarve për Andorrën dhe Francën, risia është Florian Kamberi. Sulmuesi 24-vjeçar i skocezëve të Hibernian zgjodhi Shqipërinë, pasi përfaqësoi Zvicrën me moshat dhe është në pritje të dokumentacionit.

Në listën e Edy Reja ka edhe mungesa për shkak dëmtimesh. Mavraj, Kumbulla, Abrashi, Cikalleshi dhe Sadiku nuk janë të gatshëm, ndërsa janë kthyer në grup Xhaka dhe Uzuni. Trajneri Edy Reja thotë se po përpiqet që të afojë vazhdimisht lojtarë të rinj që do të shërbejnë për të ardhmen.

“Ideja ime është që të rinovohet Kombëtarja, por jo gjithçka menjëherë. Do të kemi dhe turne të tjerë që do të shikohen, pasi kam në vëzhgim dhe lojtarë të 2001. Ata duhen përfshirë gradulalisht që të funksionojnë gjërat”.

Kur të gjithë e kanë mendjen te Franca, trajneri Reja kërkon përqëndrim në radhë të parë tek Andorra në sfidën e së enjtes.

“Nuk duhet të mendojmë menjëherë për Francën, por duhet përqëndrim tek Andorra, pasi është një ndeshje e rëndësishme. Dua që të krijohet një mentalitet që të jepet maksimumi në çdo situatë edhe kur nuk ka më objektiv. Na duhet që të kemi edhe publikun me Andorrën, pasi pa tifozë nuk mund të ketë futboll”.

Me Francën më 17 Nëntor do të luhet te stadiumi i ri në Tiranë, dhe për këtë Edy Reja bën edhe batuta.

“Jam i emocionuar që do të luajmë në këtë stadium dhe ndoshta De Biasi ose Panucci do të jenë pak xhelozë. Stadiumi i ri do të motivojë më shumë lojtarët”.

Trajneri Edy Reja tha se është diskutuar vazhdimisht për projektin e së ardhmes me Kombëtaren dhe janë në një mendje me drejtuesit e Fedaratës, ndërsa fokusi do të jetë te rritja e vazhdueshme e skuadrës.

Tv Klan