Luana është një vajzë transgjinore e cila ka rrëfyer për emisionin “Rudina” në Tv Klan disa nga situatat që ajo është ndjerë më krenare në jetë. Ishte vetëm 14 vjeçe kur me konsensusin e prindërve u largua nga qyteti i Durrësit për të jetuar dhe vazhduar gjimnazin në Elbasan. Ky largim ishte dhe që të mos përfshihej më në komunitetin LGBTQ.

Babai i saj kishte plane të tjera për profesionin e saj por ajo zgjodhi të studionte për Shkenca Politike. Ajo tregoi se ka luftuar gjithmonë për ëndrrat dhe dëshirat e saj dhe nuk është trembur nga asgjë për t’i realizuar ato. Një nga momentet më prekëse për Luanën ishte kur dëgjoi fjalët e nënës në momentin që po largohej nga shtëpia.

Luana: Mbaj mend atë kohë që duhej të shkëputesha më ka përcjellë me lot por gjithsesi më ka thënë që unë do të të mbështes në çdo hap sepse unë të njoh, ti je fëmija im dhe unë e di që ti do bësh zgjedhjen më të mirë në jetën tënde.

Gjatë viteve të shkollës Luana ka qenë një studente ekselente, ka mbajtur detyra si senatore e presidente dhe lumturohej nga mbështetja e mësuesve, por nuk kanë munguar rastet kur gjërat kanë shkuar keq.

Luana: Çdo gjë ka shkuar shumë mirë në shkollë, mësuesit ishin shumë mbështetës, e kisha shumë të lehtë se nuk e shfaqja pjesën e identitetit. Pavarësisht se nxënësit më thonin se “ti je si femër” ose gjuanin nga vithet. Bënin gjëra që i bënin gocave, ashtu më trajtonin dhe mua.

Rudina Magjistari: Po ti si reagoje?

Luana: Gjithmonë i kam pasur këto sfida. Thjesht kam mbyllur veshët dhe i kam thënë vetes që ti e di shumë mirë kush je dhe ti e ke një pikësynim.  Unë gjithmonë eci me plan çfarë do bëj në dy vjet, çfarë do bëj mbas një viti. Unë madje doja të futesha në televizion dhe shoqja ime e ngushtë më tha: “Po ti je p*derast dhe do gjykohesh”. Edhe i thashë: Do ta shohim, ikim të dyja dhe e shohim kush do fitojë. Sigurisht drejtori që ditën e parë më dha mikrofonin, i pëlqyen idetë dhe tha “ti je gati”./tvklan.al