Lënda plasëse u asgjësua me shpërthim të komanduar

Suida Kuka, drejtoresha e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër, ishte shënjestra e një atentati të dështuar me lëndë plasëse pasditen e kësaj të marte.

Kjo pako ishte vendosur në gomën e parë të mjetit tip ‘Range Rover’, që po qëndronte i parkuar përpara institucionit shëndetësor. Lënda eksplozive u pikas nga Kuka rreth orës 16:00, e cila njoftoi edhe policinë.

Pasi u bë rrethimi  i zonës dhe u evakuuan banorët, njësia anti-eksploziv e RENEA-s kreu shpërthim të telekomanduar, që vërtetoi se pakoja e dyshimtë përmbante lëndë eksplozive.

Dyshimet paraprake, nisur nga dëshmitë e personave që ndodheshin aty, janë se lënda u hodh në makinën e Suida Kukës nga një person që po lëvizte me motor.

Mbeten ende të paqarta motivet e ngjarjes, ndërsa grupi hetimor po mbledh pamjet nga kamerat e sigurisë që ndodhen në atë zonë.

Suida Kuka ishte emëruar drejtoreshë e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në muajin Maj, ndërsa më parë drejtonte Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor.

Tv Klan