Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit e tij në faqen e Facebook-ut pamje nga puna në kantierin e tunelit të Llogarasë. Rama njofton se atje janë hapur të dyja hyrje-daljet dhe po vijon papushim puna.

Punimet për tunelin e Llogarasë kanë nisur prej më shumë se 60 ditësh. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektoi disa ditë më parë kantierin dhe u shpreh e kënaqur me ecurinë e punimeve, ndërsa njoftoi ndërtimin e një By Pass që gjatë verës të shmanget rruga pranë tunelit.

Ura që do të ndërtohet në dalje të tunelit të Llogarasë, sipas autoriteteve shqiptare do të jetë më e veçanta në Shqipëri. Përveç urës, do të ketë dhe një tunel emergjence.

Kompania fituese ka afat 37 muaj që të përfundojë tunelin, i cili do të jetë i gjatë 5.9 kilometra dhe do të përshkohet nga qytetarët për rreth 7 minuta duke bërë të mundur shkurtimin e kohës që duhet aktualisht për të kaluar nga qafa e Llogarasë./tvklan.al