Liderët e unionit po koordinojnë lehtësimin e masave

Sezoni turistik, për pasojë edhe hapja ekonomike, duket se është ndër prioritet aktuale të Bashkimit Europian, sigurisht në kontekstin e një situate të stabilizuar të pandemisë. Kurba në rënie e viktimave ka çuar në artikulimin për herë të parë nga liderët europianë të mundësisë për hapjen e turizmit këtë sezon.

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të zhvillojë bisedime me udhëheqësit e 16 vendeve të unionit për heqjen e mëtejshme të masave bllokuese. Sipas projekt propozimeve, do të jenë vetë qeveritë e shteteve që do të vendosin kohën se kur do të nisë lehtësimi, por nëse infeksionet rriten përsëri mbi një nivel të caktuar, kufizimet do të rikthehen.

Ministri i Turizmit në Gjermani, Thomas Bareiss, deklaroi se qytetarët gjermanë do të mund të nisin pushimet jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, në katër apo tetë javët ardhshme. Ai tha se destinacionet do të ishin kryesisht vendet fqinje, por edhe ishujt grekë apo spanjollë.

Për herë të parë për mundësinë e pushimeve ka folur edhe Kryeministri italian, Giuseppe Conte. Në një intervistë për mediat vendase, ai u shpreh se ka shpresë, nëse pandemia do të vijojë në këtë trend. Greqia po bëhet gati për turistët dhe hapja do të jetë graduale tha Ministri grek i Turizmit, Haris Theocharis për BBC. Fillimisht udhëtimet do të lejohen në rrugë tokësore, për të vijuar më pas me ato ajrore.

Franca ndërkohë është ende skeptike. Presidenti Emmanuel Macron u tha gazetarëve ishte “shumë shpejt për të thënë nëse mund të bëjmë pushime”, por do të bëhej e qartë deri në fillim të Qershorit. Vendet baltike kanë rënë dakord të rihapin kufijtë me njëri-tjetrin duke nisur nga 15 Maji.

Tv Klan