Turqia vijon të jetë një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare. Sipas raportit të Institutit të Statistikave mbi tregtinë e jashtme për periudhën janar-gusht 2024, Turqia është partneri i dytë tregtar, duke u renditur pas Italisë, dhe zë 8.2 % të vëllimit, ndërsa në vend të tretë është Kina me 8.1%, dhe më pas Greqia me 7.2% të vëllimit.

Shkëmbimet tregtare me Turqinë njohën rritje në 8 muajt e këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar, duke arritur në 69.4 miliardë lekë. Sipas INSTAT, eksportet shqiptare drejt Turqisë në 8 muajt e fundit llogariten 2.7 miliardë lekë, ndërsa importet në 66.6 miliardë lekë.

Produktet më të eksportuara janë mineralet dhe metalet, bimët aromatike e mjekësore, dhe produktet fason.

Shqipëria ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, të nënshkruar në 2006, dhe e cila ka hyrë në fuqi në maj 2008. Nëpërmjet kësaj marrëveshje dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre.

Eksportuesit shqiptarë mund të përfitojnë nga marrëveshja e tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe Turqisë, e cila u jep atyre mundësinë e eksportit të një numri produktesh shqiptare në tregun rajonal pa tarifa doganore.

Tv Klan