Mbi 50 vite në skenë, një nga emrat më të njohur të muzikës dhe këngës shqiptare, kantautori Ardit Gjebrea u nderua nga Bashkia e Tiranës me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.

Titulli iu dha për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin, kulturën dhe muzikën shqiptare.

Në ceremoninë e veçantë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se Gjebrea ka lënë gjurmë të pashlyeshme në qytet, sidomos duke promovuar artistët e rinj.

“Ka njerëz të cilët, jo vetëm lënë shenjë, por edhe shenjojnë kohën kur jetojmë. Kënga ‘Jon’ e Arditit shënjoi një kohë, ishte një gur kilometrik i tranzicionit, i një hapësire epokale në qytetin dhe në vendin tonë.”

Mes emocionesh, kantautori Ardit Gjebrea u kthye pas në fëmijëri, kohë që shënoi edhe hapat e tij të para drejt artit.

“Teksa pashë këtë piano m’u kujtua vetja kur studioja, nuk kisha piano në shtëpi, ishte në Pallatin e Pionerëve dhe këpucët më fusnin teksa vija çdo mëngjes, në 5 të mëngjesit, për të studiuar dhe për të realizuar atë pasion që unë kisha, muzikën.”

Ai u shpreh se çdo cep i qytetit i ka dhënë dashuri dhe mbështetje dhe të tillë e konsideroi edhe vlerësimin me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.

“Unë jam lindur dhe rritur në këtë qytet, për herë të parë në skenë kam dalë në moshën 5 vjeç, dhe që atëherë nuk u shkëputa më. Çdo cep i këtij qyteti më ka dhënë dashuri. Jam i bekuar sepse kudo ku eci, kudo ku kaloj, ndiej dashurinë e njerëzve dhe është shpërblimi më i madh i punës që kam bërë. Kam kënduar kudo, kam kënduar në opera, në Pallatin e Koncerteve, në stadium, dhe kudo kam marrë duartrokitje. Të jam shumë mirënjohës sepse kjo mirënjohje sot, mendoj se është një sintezë e të gjitha duartrokitjeve që kam marrë ndër vite nga ky qytet, nga dashuria që më ka falur ky qytet dhe nga puna e pasioni, shpeshherë edhe duke lënë mënjanë për fat të keq edhe familjen time, për të dhënë dashuri, por mbi të gjitha për të marrë këtë dashuri.”

Ardit Gjebrea ka marrë çmime të shumta që nga koha e ngjitjes në skenën e muzikës, ndërsa karriera e tij është e lidhur me televizionin ku aktualisht drejton programin “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ndërsa është edhe producent dhe drejtues i festivalit të njohur, Kënga Magjike.

Tv Klan