Një 27-vjeçar është vënë në pranga në Sarandë. Ai u kap pasi posedonte kapsolla elektrike detonatore dhe doza me kanabis.

“Shërbimet e Policisë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas posedonte në banesë lëndë shpërthyese, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit: D. Zh., 27 vjeç, banues në Sarandë. Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e 27-vjeçarit, ku gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy kuti cilindrike të mbushura në brendësi me kapsolla elektrike detonatore, të mbyllura hermetikisht, dhe doza me kanabis”, njoftoi policia.

Policia po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të veprimeve kriminale të 27-vjeçarit./tvklan.al