Dinamo City do të përballet këtë të shtunë me Vllazninë, në ndeshjen e vlefshme për javën e shtatë në Superiore.

Për këtë takim, kryeqytetasit, do të jenë me dy mungesa të rëndësishme, si Bruno Dita dhe Eridon Qardaku.

Në konferencën para ndeshjes, trajneri i bluve, Ilir Daja, deklaroi se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, referuar formës që po kalojnë shkodranët, por theksoi se skuadra e tij do të kërkojë me çdo kusht fitoren.

“Luajmë me Vllazninë, që ka një bonus psikologjik pas fitoreve radhazi që ka marrë. Kryeson me meritë dhe ka formën më të mirë të momentit, për mënyrën e lojës dhe marrjen e rezultatit. Ndeshjen e bën më të vështirë fakti që kemi përballë një Vllazni, që për momentin është ekipi më i mirë.

Jemi munduar të mbulojmë mungesën e Ditës me ndryshimin e manovrës, nuk ka shumë rëndësi skema si vendoset ekipi. E respektojmë Vllazninë, por synimi ynë është trepikëshi dhe duhet të hyjmë në fushë me mentalitet fituesi. Mendoj se na duhet të djersijmë shumë, që ato defekte që kemi, t’i mbulojmë me lëvizshmëri më të madhe. Qëllimi është që të prodhojmë lojë për të shkuar te rezultati maksimal.

Jemi në fillim të kampionatit dhe në fillim të punës si staf i ri. Me Vllazninë na duhet patjetër trepikëshi, jo vetëm për tabelën e renditjes, por për të vazhduar me rezultate të mira. Stadiumi i Elbasanit na krijon kushte të mira për të luajtur futboll, por në Tiranë do kishim më shumë mbështetje nga tifozët tanë, si e pamë në ndeshjen me Partizanin.”, deklaroi Daja.

Sfida mes Dinamos dhe Vllaznisë, do të luhet në stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 19:00. /tvklan.al