KernesKryebashkiaku i Kharkivit Genadi Kernes u plagos rëndë, nga disa të shtëna me armë ndaj tij nga persona ende të paidentifikuar. Mediat vendase njoftojnë se ai u qëllua në shpinë teksa ishte duke lëvizur me biçikletë në qytet. Aktualisht ai ndodhet në spitalin e qytetit në gjendje kritike për jetën. Miq të tij, citohen nga mediat ruse të kenë thënë se kohët e fundit ai kishte marrë kërcënime të vazhdueshme në celular. Kernes është kryebashkiak i këtij qyteti që prej marsit të vitit 2010 dhe njihet si një prej mbështetësve të ish-presidentit Viktor Janukoviç.

Sulmi me armë ndaj tij vjen një ditë pasi ultranacionalistët u përplasën dhunshëm me mbështetësit e ish-presidentit Janukoviç në këtë qytet. 14 persona mbetën të plagosur gjatë këtyre përleshjeve.

Tensionet janë të larta në shumë qytete në lindje të Ukrainës. Një ditë më parë filorusë të armatosur morën nën kontroll ndërtesën e televizionit shtetëror lokal. Separatistët vijojnë të mbajnë peng 7 mbikqyrës ushtarakë europianë, njëri prej të cilëve u lirua një ditë më parë për arsye shëndetsore. Për të liruar pengjet e tjerë, ata kërkojnë në këmbim lirimin e disa të burgosurve filorusë.

Presidenti amerikan Barak Obama paralajmëroi se, nëse Rusia nuk ndryshon sjellje ndaj Ukrainës, së shpejti do të vendosen sanksione edhe më të ashpra ndaj Moskës, kryesisht ekonomike, mes tyre edhe ndalimi i eksporteve të teknologjisë ushtarake.