4 viktima dhe 84 infektime ditore

Vijon të bjerë kurba e infektimeve ditore me Covid-19 në vendin tonë. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 796 testime nga të cilët 84 persona janë konfirmuar pozitivë me koronavirus, një shifër kjo sa gjysma e raportimeve ditore të vetëm pak ditëve më parë.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 28 raste në Tiranë, nga 12 raste në Shkodër dhe Durrës, 7 raste në Kukës, 5 raste në Elbasan, 4 raste në Vlorë, nga 3 raste në Korçë, Mirditë, nga 2 raste në Berat, Kuçovë, nga 1 rast në Krujë,  Kurbin, Kavajë, Kamëz, Divjakë, Malësi e Madhe”.

Ndërkohë që numri i humbjeve të jetës vijon të mbetet i lartë. Autoritetet shëndetësore raportuan për 4 viktima të tjera, duke e çuar në 275 numrin e vdekjeve që nga shfaqja e pandemisë.

“Në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 69-vjeçar nga Shkodra, 71-vjeçar nga Durrësi, një 77-vjeçar dhe 79-vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese”.

Shqetësuese mbetet situate në spitale, ku vijon të rritet numri i personave të shtruar dhe ai i të intubuarve.

“Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 175 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 17 në terapi intensive nga të cilët vetëm 9 pacientë janë të intubuar”.

Pavarësisht rënies së numrit të infektimeve, Ministria e Shëndetësisë i bëri dhe një herë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të respektojnë masat anti-covid.

Tv Klan