Falsifikoi shkresat për shkarkimin e dy nënkryetarëve

Prokuroria e Tiranës ka lëshuar një urdhër ndalimi për ish-kreun e Bashkisë së Vorës Agim Kajmakun. Kajmaku akuzohet për tre vepra penale; atë të shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe ushtrimi i funksioneve pas mbarimit të detyrës”.

Policia nuk e ka gjetur Kajmakun në shtëpinë e tij. Avokati i ish–kryetarit të Bashkisë së Vorës e konfirmoi këtë, teksa u paraqit në Prokurori për të marrë informacione mbi akuzat. Gjithçka ka të bëjë me vendimin e Kajmakut për të shkarkuar dy nënkryetarët Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj.

Shkarkimi, sipas Prokurorisë, është bërë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte marrë vendimin për t’ia hequr atij mandatin e kryebashkiakut.

Në të njëjtën kohë, Agim Kajmaku ka emëruar në këtë detyrë shefin e kabinetit të tij, Gentian Picarin.

Por përveç se ka ushtruar detyrën pas përfundimit të saj, duke lëshuar urdhra dhe duke firmosur shkresa zyrtare, Kajmaku, thotë Prokuroria, e ka falsifikuar datën e vendimit.

Tv Klan mësoi se ai nuk është larguar jashtë shtetit. Familjarët u shprehën se Kajmaku ka disa ditë që nuk ka qenë në banesë.

“Kjo pas krahëve të mi është banesa e Agim Kajmakut, në Fushë Prezë, disa km larg Tiranës. Jashtë kamerave familjarët e tij thonë se prej dy ditësh, nuk është paraqitur në këtë banesë, por është brenda territorit Shqipërisë, nuk ka dalë jashtë kufijve”.

Sipas urdhrit të lëshuar, Kajmaku ka afat deri nesër në orën 09:30 të paraqitet në Prokurorinë e Tiranës. Në rast të mos paraqitjes, ai do të shoqërohet forcërisht.

Prokuroria i nisi hetimet ndaj tij pas denoncimit që i bëri nenkryetarja Laureta Omeri për shperdorim detyre.

Me shkarkimin e dy nënkryetarëve, Kajmaku ia hoqi mundësinë Këshillit Bashkiak që të zgjidhte njërin prej tyre për të ushtruar funksionet e kryetarit të Bashkisë, deri në zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme dhe e vendosi vetë pasaardhësin e përkohshëm.

Agim Kajmaku e humbi mandatin pasi nuk kishte deklaruar në formularin e Dekriminalizimit një hetim në Greqi, ku ishte kapur me para të falsifikuara. Ky fakt doli në dritë pas një denoncimi të Partisë Demokratike.

Tv Klan