“A ka emër ajo forcë politike, e cila votoi raportin e Dick Martit?”

Drejtuesi politik i PS-së per Tiranën, Erion Veliaj ka sulmuar nga Kavaja Partinë Demokratike lidhur me akuzat që po i bëhen krerëve të UÇK në Hagë. Veliaj solli si shembull votën pro-raportit të Dick Martit për të akuzuar kundërshtarët politikë.

“Liria ka emër! Po tradhtia a ka emër? A ka një emër se kush i çoi në Hagë drejtuesit e UÇK? Ka emër kush i sajoi këto shtëpitë e verdha? Ka emër kush i nguli thikë pas shpine vëllait të vet? Ka emër ajo forcë politike, e cila votoi raportin e Dik Martit? S’jemi ne forca politike që i tha terroriste UÇK-së, por dikush tjetër është dhe ata kanë emër. S’jemi ne ata që përgatitën dosjen për në Hagë, po dikush është, një forcë politike është, dhe ka emër”.

Në përvjetorin e çlirimit të Kavajës, Veliaj tha se PS është sërish në anën e duhur të historisë, megjithëse sot nuk luftohet me armë, por në rrjetet sociale.

“Mesa duket, kemi të njëjtat beteja siç i kishim 76 vite përpara, por në qoftë se përpara luftoheshin me armë, sot luftohen në Facebook, sot luftohen në media, sot luftohen në televizor, sot luftojnë me këto dosjet që shkojnë në Hagë, sot luftojnë me këto lajmet e rreme për shtëpi të verdha apo për kërdinë që po bëka pandemia, kjo është e pandershme”.

Në akuzat ndaj Partisë Demokratike, Veliaj renditi edhe atë për fabrikimin e Shtëpisë së Verdhë, një nga akuzat për të cilat është tërhequr edhe vetë Prokuroria Speciale.

Tv Klan