Veliaj: Policët bashkiakë do të denoncojnë Presidentin Meta për dhunë



Veliaj: Policët bashkiakë do të denoncojnë Presidentin Meta për dhunë

16:07 12/03/2021

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka deklaruar se Presidenti Ilir Meta do të denoncohet për dhunë ndaj policëve bashkiakë pas incidentit që ndodhi në zyrat e partisë Fryma e Re Demokratike.

Në një lidhje direkte për Tv Klan, Veliaj tha se do policët roje që ndodheshin roje tek dera kanë shkuar në komisariat për të kallëzuar kreun e shtetit dhe personat që e shoqëronin të cilët ushtruan dhunë.

Kryebashkiaku theksoi se godina ku qëndron FRD është në pronësi të Bashkisë së Tiranës dhe do të duhet të lirohet.

Pse u krijua ky incident?

Erion Veliaj: Për këtë duhet të pyesni ata që e krijuan këtë incident. Dy policët janë policët roje të një agjencie që quhet Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit. Pra ajo është një ndërtesë e Bashkisë, është pronë bashkiake. Ka qenë ish–godina e PD, dhe pasi humbi zgjedhjet në vend që të refletonte për humbjen e zgjedhjeve, shkoi dhe morin zyrën e SHQUP duke e lënë në pronësi të Bashkisë Tiranë zyrat që sot ka Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit. Nuk ka vajtur asnjë polic për Ilir Metën, nuk është ende aq i rëndësishëm. Policët janë rojet e derës aty që pasi dëgjuan që në kat të parë jo në kat të tretë ku është zaptuar zyra e FRD, në kat të parë, është si të futesh në institucion dhe të nxjerrësh jashtë me grushte dhe me ofendimet rojet e derës. Kështu që nuk ishin në zyrën e FRD, ishin në një pronë të Bashkisë, ishin në një kat tjetër komplet pa lidhje duke u marrë me rojet dezhurn që e kanë për detyrë të rrinë me 3 turne. Është një urdhër i kryetarit të Bashkisë me firmë dhe me vulë, i cili është çuar tek të gjitha partitë dhe të gjitha kanë pranuar që po ky është ligji, e ka pranuar Paskal Milo, e ka pranuar Ekrem Spahiu, e ka pranuar Zef Bushati, e kanë pranuar disa parti të ish të përndjekurve ose disa parti me orientim komunist. Sot ka në Tiranë 184 parti të regjistruara. Mendon që Bashkia e Tiranës në një vend pas tërmetit, pas pandemisë, ka 184 seli për çdo parti? Bashkia e Tiranës ka liruar zaptuesit nga çerdhet, nga kopshtet, nga shkollat, nga konviktet në Qytet Studenti, nga konviktet në Universitet Bujqësor. Nuk ka asnjë arsye pse një zaptues që është qytetar i thjesht ta lirojë, partitë e tjera të bien dakord, por nëse të vjen me grushte e me shkelma dhe me fjalor ordiner Presidenti i Republikës kjo duhet toleruar. Ligji është i barabartë për të gjitha edhe ajo skenë degradimi sot duhet të ishte evituar, nuk kishte policë shtesë, ishin 2 policë te dera, e kanë nderuar Presidentin e Republikës siç dhe kanë vajtur tani në komisariat ta denoncojnë për dhunë kreun e shtetit dhe shpurën e tij, sepse ajo që ndodhi ishte shumë e shëmtuar. Fyen inteligjencën e një Tiranë që ka vite që nuk sheh skena të tilla nga ata që drejtojnë vendin. Unë si Erion jam mësuar. E fillova me një President që protestonte kundër këndit të lodrave, e shoh tani me një President i cili bëhet me zaptuesin dhe jo me qytetin dhe me shtetin. Pra unë kam fituar imunitet, por nuk mund të lejoj që në qytetin që drejtoj, kultura e dhunës, kultura e rrugaçërisë, fjalori vulgar, goditja ndaj uniformave të shtetit, zaptimi të kthehen në etalon. Kjo histori do përfundojë si gjithë të tjerat. Nuk do të bllokohet qyteti, çfarë i takon publikut do t’i mbetet publikut. Te prona e tyre private ose në selitë e tyre që i paguajnë privatisht, mund të bëjnë çfarë të duan por jo në letrat e shtetit shqiptar.

Cili është motivi që Fryma e Re Demokratike duhet të lirojë zyrat?

Erion Veliaj: Kjo është një parti që s’ka përfaqësim në Parlament, kjo është një përfaqësi që s’ka mbi 1%, është çuar disa herë shkresa dhe njoftim, ka 3 vjet që i ka mbaruar kontrata, e kemi sugjeruar disa herë me mirëkuptim lirimin, kemi çuar një njoftim miqësor për t’i shfrytëzuar këto ditë për të bërë lirimin e ndërtesës. Bashkia e Tiranës sot ka marrë me qira gjysmën e Torre Drinit se s’ka hapësira. Godina 7-katëshe është dëmtuar nga tërmeti, duhet ndërtuar nga e para, dhe me të drejtë KLSH thotë ke këto zyra për parti anonime që nuk ju takon me ligj, dhe ndërkohë Bashkia shkon dhe merr me qira. Kjo është padyshim shkelje dhe mungesë arsyetimi logjik, kështu që i kemi kërkuar të zbatojë rregullin. Ka vajtur punonjësi civil me identitetin e Bashkisë dhe ka kërkuar që të marri në dorëzim, ka filluar një konfrontim me ndihmën e Presidentit të Republikës si një ndeshje boksi dhe me një fjalor ordiner të padenjë dhe për lagjet periferike të Tiranës dhe ndërkohë dy policët roje të dezhurnit kanë vajtur të kuptojnë çfarë po ndodh. Ndërkohë zyra s’është fare aty. Janë futur në pronë të Bashkisë dhe është një lajthitje presidenciale për të cilën unë nuk mbaj dot përgjegjësi. Isha në punën time sot, kur më thonë është çmendur Presidenti dhe po rrihet me policët. Më kapi dhe mua në befasi.

/tvklan.al







Të ngjashme