“Sportistët po financohen me mirë nga qeveria nga bashkia”

Ekipi shqiptar ka mundur të sigurojë deri më tani rezultate më të larta në Tokio në krahasim me lojërat e mëparshme olimpike.  Peshëngritësi Briken Çalja u rendit i katërti në peshën deri 73 kilogramë, ndërsa Luiza Gega u përfshi në finalen e 3000 metrave me pengesa që do të mbahet të mërkurën, hera e parë për atletikën shqiptare. Këto rezultate për kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj sjellin shpresë për medalje në të ardhmen.

“Ktheheshim nga olimpiadat me sherre federatash dhe me rezultate i 40 i 50 sot kthehemi dhjetëshen e parë me shumicën e disiplinave. Fokusi është te sportistët. Po financohen më mirë nga Qeveria nga Bashkia, po bëhen grumbullime. Unë besoj që ajo që është bërë në këto 3 muaj duhet bërë në 3 vitet e ardhshme që në Paris të mos jemi në kufi të medaljes por të marrim medalje”.

Veliaj në një lidhje direkte për TV Klan inkurajoi edhe të tjera bashki të ndjekin këtë shembull.

“Nëse të gjitha bashkitë tjera do të bashkohen në fuqizimin e klubeve sportive ne do të kemi një skuadër më të madhe në olimpiadë”.

Një nga prioritetet sipas kryebashkiakut të kryqytetit Erion Veliaj do të jetë edhe trajtimi i trajnerëve që të mund të rikthehen edhe sporte të tjerë në olimpiadë. Shqipëria u përfaqësua në Tokio me 9 sportisë në 6 disiplina: atletikë, peshëngritje, xhudo, gjimnastikë, qitje dhe not. Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli thotë se mbështetja për sportistët nuk do të mungojë.

“Në aktivitetet tona që janë lojërat mesdhetare rinore dhe olimpike këtyre sportistëve t’i japim bursa 3 vjet përpara dhe ti grumbullojmë në aktivitetet madhore”.

Përfaqësimi i parë në lojërat olimpike për Shqipërinë është në Mynih 1972, ndërsa prej Barcelona 1992 pjesëmarrja ka qenë e pandërprerë.

Tv Klan