Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj deklaroi në emisionin Opinion se vëllai i tij ka qenë i përfshirë në një rast trafiku droge në vitin 2002 në Itali, çështje për të cilën është rehabilituar dhe ka shlyer dënimin penal.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Xhafaj është pyetur nëse është përfshirë vëllai i tij në trafik droge pas vitit 2002, sidomos gjatë kohës kur në pushtet erdhën socialistët dhe në krye të Ministrisë së Brendshme ishte vetë Xhafaj.

Ky i fundit ka mohuar kategorikisht që vëllai i tij të jetë përfshirë në aktivitet ilegal gjatë kësaj periudhe, e sipas tij, kjo është verifikuar edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

“Ka ardhur në 2002. Në 22 vjet janë dhënë lloj-lloj dokumentesh dhe im vëlla nuk ka asnjë lloj precedenti kriminal apo shkelje ligji. Nuk figuron, i kam verifikuar vetë, i kanë verifikuar partnerët po ta dish se kam qenë ministër i Brendshëm.

Nga 2002 ky njeri ka qenë në Shqipëri. Nga 2005-2013 PD ka qenë në pushtet. Këta që flasin kanë qenë ministra të Brendshëm. PD në vitin 2010 ka bërë sulm të egër për rastin e vëllait. Si ka mundësi që nxjerrin një dosje nga pluhuri dhe nuk nxjerrin një shkelje të vëllait tim? Edhe pas 2013 SHISH e kanë pasur këta, ka qenë Vishjo Ajazi, kam repsekt për të. Deri në 2017 dosjet e dhëna nga SHISH për trafik kanabisi ishin me mijëra faqe. Në asnjë rresht nuk figuron jo vëllai im, por asnjë lidhje familjare që ka të bëjë me mua. Në 2017-2018 janë 2 vitet që kanë numrin më të ulët të rasteve kanabis në Shqipëri, është gati 0. Kam qenë unë ministër i Brendshëm. Disa grupe kriminale janë goditur në atë kohë për këtë gjë”.

Deputeti Xhafaj theksoi se pasi denoncimi i Salianjit u bë publik, vëllai i tij shkoi në Itali për të kryer vitet e mbetura të dënimit, siç u shpreh ai, “sepse nëse do rrinte këtu do bënte njohjen e vendimit dhe do thonin nuk e dënuan se është vëllai i ministrit”.

/tvklan.al