Greqia po kalon një situatë kritike nga zjarret e shumta. Situata është më alarmante në veri-lindje të Atikës kryesisht në Varnavas, ku flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe po përhapen drejt malit Penteliko.

Në terren janë vendosur mbi 560 zjarrëfikës, 16 ekipe kërkim shpëtimi, 177 mjete zjarrëfikëse dhe 32 mjete ajrore. Dy spitale në fshatin Penteli, në veri-lindje të Athinës u evakuuan. Ministri i krizës klimatike dhe mbrojtjes civile Vasilis Kikilias paralajmëroi se moti i thatë me temperature të larta do të vazhdojë çka e bënë edhe më të rrezikshme gjendjen.

Banorët janë larguar nga shtëpitë e tyre pasi zjarret kanë djegur pemë, disa shtëpi dhe makina në kryeqytetin grek. Erërat e forta po pengojnë shumë punën e avionëve të zjarrfikësve në operacion. Autoritetet kanë vendosur alarme evakuimi për nëntë zona pranë Varnavas. Tymi nga zjarret është përhapur në një pjesë të madhe të Athinës dhe ka arritur në jug të ishullit Egjina.

Një tjetër zjarr në një zonë pyjore pranë qytetit të Megara, në perëndim të Athinës është vënë nën kontroll. Disa rajone të tjera në të gjithë Greqinë janë vendosur nën alarmin e kuq për rrezik nga  zjarret.

Qindra zjarre kanë shpërthyer në të gjithë Greqinë që nga mali dhe shkencëtarët ia atribuojnë shpeshtësinë dhe intensitetin e tyre kushteve gjithnjë e më të nxehta dhe të thata të motit të lidhura me ndryshimet klimatike. Pas dimrit më të ngrohtë të regjistruar dhe periudhave të gjata me pak ose aspak reshje, Greqia regjistroi gjithashtu qershorin dhe korrikun e saj më të nxehtë dhe parashikohet të regjistrojë verën e saj më të nxehtë në histori.

Ndërkaq zjarret janë përhapur edhe në Spanjë. Flakët u përhapën në Carbalan, në rajonin e verilindor të Aragonit të Spanjës duke i shtyrë autoritetet të ndalonin udhëtimet drejt qytetit për shkak të tymit.

Në dispozicion u vendosën qindra zjarrëfikës dhe helikopterë për të shuar flakët. Spanja ka rregjistruar një numër të madh valëve të të nxehtit këtë verë, duke bërë që agjencia e motit AEMET të paralajmërojë vendasit për rrezikun e lartë të zjarreve.

Klan News