Mund të përdoret në institucione të ndryshme apo edhe për udhëtim

Të gjithë ata që kanë kaluar COVID-19 në 6 muajt e fundit mund të pajisen me një vërtetim që lëshohet nga mjeku i familjes i cili ka dhe skedën përkatëse të pacientit sa i përket periudhës së kalimit të infeksionit. Mjeku Bujar Mema pranë Poliklinikës 9 në kryeqyetet sqaron procedurën që ndiqet.

“Me të dhënat përkatëse goxha të sakta dhe me datat kur i sëmuri ka filluar shenjat apo ka dalë me tampon pozitiv dhe periudhën kur ka mbaruar izolimin e kohës së duhur. Ky dokument lëshohet për personat që kanë kaluar SARS-COV2, lëshohet nga mjeku i familjes, pra gjithnjë marrëdhënia bazë ngelet pacient-mjek familjeje. Pacienti i cili ka shenja klinike, është lidhur me mjekun, është orientuar për kryerjen e tamponeve, ekzaminimeve të tjera skanerike dhe analiza të tjera,është konkluduar në pjesën e infeksionit të Covid-it apo në rastet kur edhe rastësisht, persona të caktuar kanë bërë një test të shpejtë apo PCR tampon, kanë figuruar pozitivë dhe kanë krijuar lidhjen me mjekun e vet të familjes, i nënshtrohen këtij lloj dokumentacionit”.

Ky vërtetim kërkohet ne disa institucione apo edhe në pikat doganore, për të kaluar kufirin në mungesë të vaksinës ose tamponit.

“Mund të lëshohet në çdo kohë nga mjeku i familjes edhe nëse personi e ka kaluar para një viti. Ajo që hyn në fuqi dhe që ka vlerë sot, ka të bëjë me periudhat e fundit dhe lidhet me pjesën e kalimit të kufirit, kryesisht me pjesën e vaksinimit”.

Gjatë kësaj periudhe interes të shtuar për marrjen e vërtetimit të kalimit të COVID-19 ka pasur nga arsimtarët dhe studentët, pasi është një prej 3 kushteve të vëna nga Ministria e Shëndetësisë për t’u future në shkolla dhe auditore.  

Klan News