Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi me 88 vota pro ligjin për “Vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së”, i njohur si Vetting-u. Për këtë, zv.ministrit i Brendshëm Julian Hodaj, doli sot në një konferencë për shtyp e cilësoi tepër të rëndësishme këtë nismë.

“Kjo nismë është mjaft e rëndësishme në kuadër të reformës së ndërmarrë në agjencitë ligj zbatuese përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, ku duhet të përmenden edhe nismat e tjera për përmirësimin e sistemit të arsimit, ri-organizimit në territor dhe qasjes më gjithëpërfshirëse ndaj qytetarëve, si dhe masave të veçanta për luftën ndaj grupeve kriminale

“, tha Hodaj.

Për zv.ministrin, kjo reformë është dëshmi e qartë e vullnetit të qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme për të ndërtuar institucione të forta me njerëz me integritet, për të konsoliduar agjencitë ligj zbatuese dhe për t’i ngritur ato në standardet e kërkuara Europiane.

“Policia e Shtetit apo agjencitë e tjera të përfshira në këtë proces nuk i përkasin as qeverisë as mazhorancës së momentit. Ato janë në shërbim të qytetarëve dhe për këtë arsye u bë një përpjekje maksimale për të pasur një konsensus sa më të gjerë”,

theksoi Hodaj, i cili shtoi se 

“Si dëshmi e qasjes konstruktive të qeverisë dhe mazhorancës mjafton të përmendet fakti se miratimi nën për nen dhe në tërësi u shty për një javë, jo për arsye votash apo numrash, por për të pasur mundësi për të diskutuar në detaje propozime apo këndvështrime të tjera të cilat mund ti shërbenin përmirësimit të mekanizmit të vlerësimit”

.

Në këtë kontekst, Hodaj vlerësoi qëndrimin e grupit parlamentar të LSI dhe sidomos të deputetëve të përfshirë direkt në diskutime konstruktive. Nga ana tjetër, ai shprehu keqardhje për një pjesë të opozitës, sidomos të disa deputetëve,

“që pavarësisht trumbetimit me të madhe të detyrimit për konsolidim të agjencive ligjzbatuese, nuk dëshiruan të ishin pjesë e diskutimeve apo të kontribuonin në miratimin e këtij projektligji”.

“Ne besojmë se procesi është ndërtuar për të siguruar një vlerësim të ndershëm, të pavarur dhe natyrisht të paanshëm. Jemi sot shumë të bindur se zbatimi i këtij ligji do të jetë një kontribut i padiskutueshëm dhe do t’i shërbejë identifikimit të pjesës së shëndoshë në agjencitë ligj-zbatuese, pra ata punonjës që janë të dedikuar, të përkushtuar, të cilët janë padyshim shumica. Mbi këtë shumicë, do të ngrihen nesër institucionet ligj zbatuese”,

theksoi zv.ministri Hodaj.

Hodaj iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve, të cilat i gjeni më poshtë:

Çfarë amendamentesh paraqiti LSI për ligjin e Vetting-ut?

Zv.ministri Hodaj: Grupi parlamentar i LSI paraqiti rreth 19 ndryshime, ku shumica më e madhe janë të natyrës së teknikës legjislative, pra nuk janë ndryshime që prekin thelbin.

Nëse do të veçoja dy ndryshime ose dy propozime të cilat u morën parasysh dhe u dakordësuan, njëra ka lidhje me përbërjen e Bordit Përzgjedhës, që është ai Bord që përzgjedh 15 anëtarët e Komisionit të Jashtëm, ku u pranua propozimi i tyre për të përfshirë në bord Avokatin e Popullit dhe SHISH.

Ndërsa ndryshimi tjetër që është thjesht si deklaratë, është përmendja në ligj e Nënkomisionit të posaçëm parlamentar pranë Komisionit të Sigurisë që do ndjekë zbatimin e ligjit. Kuptohet parlamenti ka funksionin mbikëqyrës edhe mbi bazën ligjore ekzistuese, përmendja besoj që e bën edhe më të rëndësishëm, edhe më të lidhur këtë proces dhe garanton një lloj mbikëqyrjeje parlamentare më të theksuar.

Cilat janë hapat e mëtejshëm pas miratimit?

Zv.ministri Hodaj: Siç e dini, ligji, brenda 20 ditësh duhet të shprehet Presidenti i Republikës, duhet të publikohet në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi 15 ditë mbas publikimit. Nga data e hyrjes në fuqi, brenda një 30 ditëshi punonjësit do të dorëzojnë deklaratat individuale.

Janë 3 formularë, për figurën, për pasurinë dhe për profesionalizmin dhe brenda këtij 30 ditësh është parashikuar të ngrihen edhe organet përkatëse që është Komisioni I Jashtëm i Vlerësimit dhe Sekretariati Teknik përkatës.

Mos duhet një trajnim përsa i përket punonjësve të nivelit bazë për plotësimin e deklaratave të pasurisë, pasi nuk kanë formimin e nevojshëm?

Zv.ministri Hodaj: Formularët janë thjesht deklarata. Nuk presupozohet që kanë nevojë për njohuri specifike në ndonjë fushë të caktuar për mbushjen e tyre. Iu kërkohet të deklarojnë kontakte ose jo; emër mbiemër; ku banojnë; pasuritë që disponojnë, dmth thjesht deklarative. Nuk besoj se kanë nevojë për ndonjë trajnim të punonjësve për ta plotësuar..

Deklarata e pasurisë, nuk është pak e vështirë të plotësohet se psh për një punonjës policie që ka 16 vjet punë është e vështirë të kujtojë gjithçka?

Zv.ministri Hodaj: Nuk besoj se dikush harron gjatë rrugës, gjatë 16 vjetëve që ka pasur në pronësi apo ka në pronësi një shtëpi, një makinë apo sende të tjera me vlerë të konsiderueshme apo harron pagat që ka marrë gjatë këtyre viteve. Kështu që nuk ka nevojë për specializim specifik.

A ka marrë Policia e Shtetit masa për grabitjet e ndodhura gjatë këtyre kohëve?

Zv.ministri Hodaj: Sot jemi për të folur për procesin e vlerësimit, që ne jemi të kënaqur që ligji mori vota dje në parlament dhe u votua edhe nga një pjesë e opozitës. Kështu që ju lutem, nëse e mbajmë argumentin te ligji për vlerësimin kalimtar dhe periodik, do të ishte më mire.

A ekziston mundësia që të ketë një mbivendosje të këtij ligji mbi detyrat që ka Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat?

Zv.ministri Hodaj: Për mendimin tonë jo. Është një proces paralel që nuk ka pika fërkimi me atë që aktualisht bën sot SHÇBA-ja. SHÇBA sot vepron mbi bazë ankesash, mbi bazë konstatimesh, shkeljesh. Ky është një proces kontrolli dhe verifikimi. Jo domosdoshmërisht lidhet me shkelje të caktuara.

Kur do të përfundojë procesi?

Zv.ministri Hodaj: Është parashikuar që procesi duhet të përfundojë, të paktën vlerësimi kalimtar, sepse vlerësimi periodik është pjesa tjetër, vlerësimi kalimtar është parashikuar të përfundojë brenda 24 muajsh nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, për të gjithë punonjësit e policisë, jo vetëm për drejtuesit.

Nëse e keni parasysh, procesi është i strukturuar në tre faza, në varësi të gradave. Gradat e larta janë 300 punonjës, gradat e mesme janë rreth 3 mijë punonjës dhe punonjës të nivelit zbatues janë rreth 9 mijë.

Ne mendojmë që i gjithë procesi do të mbyllet në harkun kohor të 24 muajve.

Sa punonjës policie mund të prekë ky ligj?

Zv.ministri Hodaj: Se sa mund të prekë këtë nuk mund ta them, sepse i bie të paragjykojmë procesin ose të shprehim një tendencë. Besoj që procesi do të penalizojë të gjithë ata që e meritojnë të penalizohen dhe do të promovojë ata që meritojnë të promovohen.

Ka pasur punonjës policie që kanë dhënë dorëheqjen?

Zv.ministri Hodaj: Ligji parashikon që në rast se dikush do të dorëhiqet e ka mundësinë ta bëjë brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e ligjit. Besoj se atëherë do ta marrim vesh, nëse ka njerëz që do të largohen ose jo./tvklan.al