Është vënë në pranga 25 vjeçari në Vlorë pasi vodhi para në një kazino. Momenti është kapur dhe në kamera… Sipas policisë, i riu është i dyshuar edhe për plagosjen me thikë të një gruaje, në bashkëpunim me një 23 vjeçare.


“Vodhi një shumë parash në ambientet e një kazinoje në Vlorë, identifikohet dhe arrestohet 25-vjeçari.  25-vjeçari, i dyshuar dhe për plagosjen me thikë të një 41-vjeçareje, kryer në bashkëpunim me një shtetase tjetër.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së kallëzimit, më datë 12.09.2024, se në ambientet e një kazinoje në Vlorë, disa ditë më parë ishte vjedhur një shumë parash, kryen të gjitha veprimet hetimore dhe, bazuar në pamjet filmike dhe në provat e tjera të siguruara, finalizuan operacionin policor të koduar “Storm 25”.

Si rezultat, u bë identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit:  D. Z., 25 vjeç, banues në Vlorë. Nga veprimet hetimore dyshohet se 25-vjeçari, më datë 01.09.2024, ka vjedhur 150 000 lekë në ambientet e një kazinoje.  Gjithashtu, shtetasi D. Z. dyshohet se në bashkëpunim me shtetasen Xh. Th., 23 vjeçe, për të cilën ka nisur procedimi penal, më datë 12.09.2024, në ambientet e një lokali, në lagjen “Hajro Çakërri”, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasen E. D., 41 vjeçe, e cila është jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme”, thotë Policia./tvklan.al