Shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë monitorimit të zonës bregdetare, kanë konstatuar një mjet lundrues veliere që bënte lëvizje të pakontrolluara, i cili më pas ka ngecur në rërë disa metra larg nga bregu, në territorin e fshatit Karpen.

Pas këqyrjes paraprake, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Spille kanë ushtruar kontroll të imtësishëm në bordin e mjetit lundrues.

Gjatë kontrollit në veliere, janë gjetur dhe sekuestruar 1 armë zjarri pistoletë tip “Walther”, 1 krehër pistolete, municion luftarak, 2 celularë, 1 laptop dhe dokumentet e mjetit lundrues.

Gjithashtu, në mjetin lundrues, është gjetur një pasaportë gjermane me gjeneralitetet F. R., 85 vjeç.

Nga verifikimet e kryera në bashkëpunim me Guardia di Finanzan paraprakisht rezulton se mjeti lundrues është nisur nga Bari, Itali, me drejtim Kroacinë, fillimisht me lundrim normal dhe më pas me lëvizje të çrregullta.

Grupi hetimor i ngritur për këtë rast po bashkëpunon me Interpol Tiranën, për verifikimin e të dhënave të pasaportës që është gjetur në mjetin lundrues, me qëllim sqarimin e rrethanave të këtij rasti dhe përcaktimin e vendndodhjes së poseduesit të pasaportës, i cili dyshohet të jetë drejtuesi i mjetit lundrues.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se drejtuesi i velieres mund të ketë rënë në det, për shkak të dallgëve të larta të shkaktuara nga moti i keq.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme./tvklan.al