Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, theksoi sot rëndësinë që ka siguria në shkolla dhe angazhimin për t’u krijuar nxënësve dhe mësuesve një mjedis ku ata të ndjehen të mbrojtur dhe të sigurtë.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në shkollën “Kosova” në Tiranë, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ministri i Brendshëm renditi masat kryesore të ndërmarra, si rrjedhojë e nismës “Paketa e Sigurisë në Shkolla”.


Gjithashtu, ministri Hoxha prezantoi dhe një nga projektet më madhorë të “Shqipërisë 2030”, në aspektin e sigurisë.

“Përmes ‘Smart City’ synojmë një standard të ri në monitorimin, kontrollin, mbikëqyrjen dhe analizimin e pamjeve të rrugëve, hapësirave të mëdha publike, qyteteve, përfshirë këtu edhe shkollat. Ky projekt do të modernizojë edhe më tej infrastrukturën teknologjike të Policisë së Shtetit”, theksoi ai./tvklan.al