Historia nisi 25 vjet më parë në Austri. Samir Mane, një student emigrant i larguar nga Shqipëria si shumë të tjerë në fillim të viteve ’90 – të, kishte arritur të siguronte një kapital modest nga shitblerja e elektroshtëpiakeve. Biznesi po shkonte mirë, madje shumë mirë për një emigrant të ri, që kishte më pak se 3 vjet në një vend të Bashkimit Europian.

Por djali i ri, 25-vjeçar kishte ambicie më të mëdha se sa ato të një emigranti që kishte lënë vendin e tij për një jetë më të mirë. Më 1993 ai vendosi krijimin e kompanisë Balfin në Vienë. Kryeqyteti i vjetër i perandorisë Austro – Hungareze ishte një pikë përfekte e tregëtisë midis perëndimit të zhvilluar dhe lindjes që sapo ishte hapur ndaj ekonomisë së tregut. Ai shfrytëzoi pikërisht këtë avantazh, në konkurencë me shumë kompani të tjera që u zhytën në tregun e virgjër të lindjes.

Shumë histori suksesi në botë kanë nisur nga asgjë. Steve Jobs ndërtoi kompaninë më të madhe në botë sot duke nisur në një garazh makinash; Bill Gates duke u munduar të bindte investitorët që komjuterat ishin e ardhmja e botës; Themeluesi i Amazon duke shpërndarë libra nëpër shtepi. Në përmasa modeste, historia e Balfin është e ngjashme me to. Dhe me shumë histori suksesi real të biznesit në Shqipërinë post komuniste.

Në vitin 1993, në Vienë të Austrisë, me një kapital të vogël prej 36 mijë, Balfin nisi tregtimin e produkteve elektrike dhe elektroshtëpiake drejt vendeve të Evropes Lindore. 25 vjet më pas, ajo ka arritur në një xhiro vjetore prej 500 milionë Euro, aktualisht operon në 22 vende të botës me partnerë ku 60% e realizon në Shqipëri dhe pjesën e mbetur jashtë vendit.

E fokusuar në Vienë dhe në tregëtinë me shumicë mes Azisë dhe Europës, Balfin shtriu biznesin e saj në Shqipëri pak vite më pas. U hap dyqani i parë Neptun në Tiranë dhe shumë shpejt disa të tjera në Shqipëri. Një vit më vonë, Neptun ishte i pranishëm edhe në Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi. Duke krijuar kështu zinxhirin e parë të dyqaneve të organizuara me pakicë në aparatet elektronike dhe elektro shtëpiake me më shumë se 60 dyqane në të gjithë rajonin.

Më 2005, Balfin vendosi të investonte një pjesë të rëndësishme të kapitalit dhe të transferonte një pjesë të aktivitetit të saj në Shqipëri. Po atë vit u inagurua QTU, e para qendër tregtare në vendin tonë. Ky ishte një projekt shumë ambicioz në atë kohë dhe revolucionarizoi mënyrën e blerjes tek shqiptarët. QTU është ende qendra më e njohur tregtare në Shqipëri.

Teksa biznesi rritej, u rrit dhe nevoja për qendrat të tjera tregtare, të cilat çuan në inaugurimin e Tirana East Gate – qendra më e madhe tregtare në Shqipëri. TEG ia doli të jetë një biznes shumë i suksesshëm dhe sot është nje destinacion për të gjithë.

Kohët e fundit, Balfin Group ka filluar investimin më të madh (Skopje East Gate) – në qytetin e Shkupit – një koncept i ri zhvillimi që do të përfshijë 10 blloqe komplekse banimi, 5 blloqe ndërtimi për qëllime biznesi dhe një qendër tregtare me mbi 250 dyqane me marka me famë botërore. Një investim që kap vlerën e mbi 350 milionë Eurove.

Që nga viti 2011, Balfin Group ka sjellë në Shqipëri zinxhirin ndërkombëtar të shitjes me pakicë si Jumbo – ofruesi kryesor i lodrave dhe pajisjeve shtëpiake që aktualisht mund të gjenden në hipermarkete të mëdha në Shqipëri e Kosovë. Së shpejti, Jumbo do të jetë edhe në Mal të Zi, ndërsa është i pranishëm në Bosnje dhe Hercegovinë.

Grupi Balfin ka investuar edhe në koncesionin e kromit në Bulqizë. Albchrome është tani një nga eksportuesit më të mëdhenj, i dyti në Shqipëri. Ekspertiza me Albchrome beri që në 2018, Balfin të blejë NewCo Ferronikel në Kosovë, eksportuesi më i madh në Kosovë, ndër prodhuesit më të mëdhenj të ferronikelit në botë.

Por pas grupit Balfin, qëndron një tjetër zinxhir ndërkombëtar siç është SPAR – shitësi më i madh i pavarur ushqimor në Evropë për të cilin është nënshkruar një marrëveshje ekskluzivitet me SPAR International me seli në Holandë. SPAR është një emër shumë i njohur për të gjithë shqiptarët. Por ajo që është e veçantë, është se SPAR jep garanci absolute për cilësinë ushqimore dhe sigurinë e prodhimeve që tregton.

Disa vjet më parë, Balfin e diversifikoi portofolin e vet edhe me investimet në turizëm. Për faktin se turizmi paraqet një potencial të madh për investime në Shqipëri, dy projektet më të mëdha që mendohet se do sjellin një standart të ri në turizëm janë Green Coast dhe Vala Mar.

Të shtrira në dy pamje të ndryshme të turizmit në vend, njëra në bregdetin e Adriatikut dhe tjera në atë të Jonit, ato përbëjnë dy majat e turizmit shqiptar të 10-vjeçarëve të ardhshëm.

Për këtë, Balfin ka nënshkruar marrëveshje me disa kompani ndërkombëtare. Njëra prej tyre është kontraktuar për të kryer përkujdesjen e duhur në Green Coast Hotel & Resort, një hotel me pesë yje që aktualisht është në fazën e zhvillimit në Palasë, Vlorë. Ndërtimi i Hotelit dhe standartet e tij do të ndryshojnë krejt stilin e shërbimeve dhe ofertën turistike në jug të vendit. Green Coast Hotel & Resort është i pari i llojit të tij në Shqipëri me një arkitekturë të bazuar në traditat e zonës lokale. Ndërkohë, Balfin ka përfunduar zhvillimin e Rezidencave Vala Mar në Gjirin e Lalëzit, Hamallaj, një zonë rezidenciale me qindra vila dhe apartamente me lartësi të ulëta.

Por çfarë ka përtej gjithë këtyre investimeve dhe si e sheh të ardhmen Presidenti i grupit, Samir Mane. Grupi ka rreth 5000 punonjës në Shqipëri dhe rajon. Grupi Balfin është i pranishëm ndërkombëtarisht në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Austri, Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe vende te tjera. Sot Balfin Group ka një portofol të larmishëm investimesh. Që nga elektronika e deri tek mineralet.

Grupi Balfin celebroi 25-vjetorin e themelimit te tij pak ditë më parë me një ceremoni në Pallatin Mbretor në Tiranë. Ceremonia e organizuar për biznesmenët më të njohur në vend, bashkëpunëtorë dhe partnerë të tjerë të kompanisë, ra në sy gjithsesi për një mungesë. Për herë të parë nuk ishte i pranishëm asnjë politikan shqiptar. Zëdhënësit e grupit deklaruan se kjo ishte një zgjedhje e Presidentit te grupit, Samir Mane.

Historia e Balfin Grup është shumë e ngjashme me historitë e fillimeve dhe rritjes së shumë bizneseve të tjera në këtë vend. Me një ndryshim. Gjysmën e historisë së saj kompania e ka pasur thuajse jashtë Shqipërisë. Ajo ka lindur dhe është rritur në një vend të Bashkimit Europian dhe gjysmën tjetër është konsoliduar si kompania më e madhe e biznesit në Shqipëri. 25 vjet më pas, ajo është model i besimit të gjithë atyre, që kishin shpresë që hapja e Shqipërisë dhe inicitiva e lirë, do të sillnin një tablo tjetër për këtë vend. Një besim i shpërblyer sot…

/OPINION