“Do bëjmë të pamundurën për hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin”

Konferenca e donatorëve të BE për tërmetin shkatërrimtar të 26 nëntorit në Shqipëri do të zhvillohet më 17 shkurt në Bruksel. Lajmin e bëri të ditur presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Zagreb me kryeministrit kroat Andrej Plenković, me rastin e marrjes së presidencës së radhës së BE-së nga ky vend.

“Bashkimi Europian është i lumtur të njoftojë se konferenca e donatorëve për Shqipërinë do të jetë më 17 shkurt. Konferenca zhvillohet pas tërmetit të tmerrshëm në Shqipëri. Ne duam t’a ndihmojmë Shqipërinë me procesin e rindërtimit”.

Presidentja e KE-së e konsideroi si një mundësi të mirë marrjen e presidencës së BE-së nga Kroacia, anëtari më i ri i unionit, që me eksperiencën e saj në procesin e zgjerimit të nxisë procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

“Samiti i Zagrebit do të jetë një hap mjaft i rëndësishëm, për të vënë para procesin e zgjerimit. Që në muajt e parë të këtij viti duhet të nisim punën për metodologjinë e re të zgjerimit. Duhet të reflektojmë si ta përmirësojmë procesin e anëtarësimit. Do të përpiqemi të bëjmë të pamundurën për të vazhduar negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet plotësuan kriteret e kërkuara dhe tani është radha jonë të mbajmë premtimet”.

Kryeministri kroat Andrej Plenković i bëri thirrje BE-së që në samitin e Majit të hapë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Bashkimin Europian.

Një çështje e rëndësishme politike për ne është perspektiva e zgjerimit në Europën Juglindore tek fqinjët tanë. Në nisje të majit ne do të kemi një samit mes liderëve të BE-së dhe fqinjëve të Kroacisë dhe do të donim të hynim në një dinamikë të re të këtij procesi dhe nëse është e mundur, blloku të qartësojë këtë situatë dhe të hapë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

Prej 1 Janarit Kroacia ka marrë presidencën 6-mujore të Bashkimit Europian pas Finlandës.

Tv Klan