Përveç Shqipërisë, Përparim Ademi rrezikon edhe tek drejtësia greke. Prokuroria e Selanikut ka nisur hetimet për trafikim të paligjshëm të fëmijëve pas deklaratave të ndryshme që janë bërë në Shqipëri.

Bëhet me dije se prokuroria ka ndërhyrë pas denoncimeve të ndryshme që janë bërë në mediat greke dhe shqiptare, se 59-vjeçari ka detyruar dy motrat Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi që të shisnin fëmijët në Greqi, pasi i linte shtatzënë.

Kreu i prokurorisë në Selanik, Panagiotis Panagiotopoulos, ka urdhëruar një prokuror të posaçëm që të hetojë pretendimet për adoptim të paligjshëm dhe nëse kemi të bëjmë me një rrjet të organizuar.

Sipas denoncimeve, më shumë se 10 fëmijë janë lindur në maternitetet greke dhe janë shitur më pas për një shumë të caktuar falë një avokati. Ky i fundit mendohet se ka ndërruar jetë.

Përparim Ademi vrau dy motrat Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi më 31 Dhjetor 2020. Ai kishte pasur lidhje dashurie me të dyja.

Krimi erdhi pasi ai dyshonte se Zhaneta Metani e tradhtonte me një person tjetër. Të paktën kështu ka thënë 59-vjeçari në dëshminë që ka dhënë përpara hetuesve për ngjarjen e rëndë që tronditi kryeqytetin./tvklan.al