Pjesëtarë të një familje nga Malësia e Madhe

Një oficer i  policisë malazeze është ekzekutuar me një plumb në kokë në qytetin Igalo, rreth 5 km larg kufirit kroat. Sipas mediave vendase, për këtë ngjarje janë arrestuar 3 shqiptarë  nga Malësia e madhe, anëtarë të së njëjtës familje.

Në pranga është vënë 43-vjeçari Luan Hasanaj, që dyshohet  se ka qëlluar në drejtim të efektivit 41-vjeçar, Millutin Lekoviç, nëna e tij Nure Hasanaj dhe vëllai i autorit të dyshuar, Lulëzim Hasanaj.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e dielë. Policia ndaloi për kontroll familjen shqiptare. Ata janë ndaluar nga autoritetet e kufirit për shkak se ishin pa dokumente identifikimi, ndërsa në momentin e ndalimit kanë thënë se janë nga Kosova.

Të tre janë marrë me një makinë policie për t’u shoqëruar në komisariat. Krimi ka ndodhur në makinë e policit, gjatë momentit që shqiptarët po dërgoheshin në komisariat. Sipas mediave, dyshohet se autori i vrasjes është Luan Hasanaj, i cili qëlloi me një plumb në kokë efektivin e policisë.

Pas kësaj, shqiptarët tentuan të arratisen, por u ndoqën nga policia malazeze, me të cilët patën edhe shkëmbim zjarri. Nga të shtënat mbeti i plagosur në dorë vetëm Luan Hasanaj. Ky i fundit  kërkohej nga autoritetet shqiptare për tentativë vrasje në bashkëpunim, ngjarje kjo e ndodhur 9 vite më parë.

Zyrtarët më të lartë të Malit të Zi, Presidenti Milo Gjukanoviç dhe Kryeministri Dushko Markoviç, ngushëlluan familjen e pjesëtarit të policisë.

Tv Klan