Reagimet e ashpra për mënyrën se si u veprua për ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë në Pogradec ku humbi jetën 42-vjeçari Egli Proga, nga policia dhe akuzat e shumta të bëra nga opinioni publik,  kanë bërë që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullku të dalë në konferencë për shtyp.

Ai e cilësoi skandalozë aludimin që është tentuar të fshihet ngjarja nga policia e Pogradecit. Gjatë fjalës së tij kryepolici dha detaje për ngjarjen.

Muhamet Rrumbullaku, drejtor i Policisë së Shtetit: Marr njoftim mbi ngjarjen në orën 19:09 e disa sekonda , njoftuar e kërkuar ndihmë mjekësore për spitalin e Pogradecit, në orën 19:10. Shërbimet policore në vendngjarje për 3 minuta, vendosur kufizimi dhe perimetri i sigurisë së vendngjarjes kriminale. Sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë që mbuloni fushëpamjet e ndodhisë së ngjarjes kriminale, pajisje të cilat administrohet nga institucioni i Prokurorisë për ekzaminim.

Kryepolici gjatë fjalës së tij theksoi se falë veprimeve të menjëhershme të policisë është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes he arrestimi i autorit të dyshuar Denis Meçe 29-vjeç dhe referimi është bërë nga polica për veprën penale “vrasje me dashje. 

Muhamet Rrumbullaku, drejtor i Policisë së Shtetit:  Nëse Prokuroria ka kërkuar një masë tjetër nga ajo për të cilën Policia e Shtetit ka kryer arrestimin, kjo është një çështje që, as nuk na takon, as kemi tagrin ta komentojmë. Por të pretendohet dhe të propagandohet se, Policia e Shtetit tentoi ta fshihte ngjarjen apo të zbuste rëndesën e saj, kur ne ia kemi dorëzuar autorin e krimit drejtësisë në kohë rekord dhe me motivin “Vrasja me dashje”, kjo është e papranueshme, e pajustifikueshme dhe e patolerueshme.

Pas akuzave se ambulanca është vonuar, për të shkuar që ti jep ndihmën e parë 42-vjeçarit, ka reaguar edhe drejtori i Urgjencës kombëtare, Skënder Brataj.

Skënder Brataj, drejtori i Urgjencës Kombëtare: Na rezulton në total rreth20 minuta i gjithë misioni nga kërkesa për ndihmë deri në përfundim të misionit të ekipit mjekësor. Ndërsa koha nga ora 19:11 minuta deri në 19:18  minuta është mbërritja në vendngjarje vetëm për 7 minuta.

Gjykata e Korçës pranoi kërkesën e prokurorisë dhe caktoi masën e sigurimit arrest në burg për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”, për Denis Meçen. Po ashtu la nën masën e sigurimit “detyrim paraqitje” 3 të dyshuarit për mos kallëzim krimi. 

Klan News