Lojërat Olimpike të Parisit i dhanë një sukses verbues Francës dhe jo vetëm, por riafirmoi krenarinë kombëtare franceze. Por tanimë, vëmendja përqëndrohet për të rregulluar kaosin politik që ka përfshirë vendin.

Me përfundimin e ceremonisë, presidenti Emmanuel Macron tani duhet të përballet me një krizë politike të vetëkrijuar. Bisedimet për formimin e qeverisë së re dhe shkurtimet e buxhetit po afrohen e teksa edhe zemërimi i popullit rritet. “Politco” shkruan se gjatë dy dekadave të fundit, emërimi i një kryeministri të ri në Francë ka qenë një vendim me pasoja relativisht të pakta që tërheq pak vëmendje në skenën ndërkombëtare.

Por tanimë këto janë kohë të jashtëzakonshme për Francën, duke u përballur me një moment të paprecedentë paqëndrueshmërie politike. Zgjedhja e kryeministrit të duhur tani ka vërtet rëndësi sepse Macron nuk ka një shumicë qeverisëse në parlament.

Deri më tani janë bërë publik tre emra që kanë shprehur ambiciet për kryeministër të Francës. Lucie Castets është e vetmja kandidate që ka hedhur zyrtarisht emrin e saj në garë deri më tani. Ajo është një nëpunëse e lartë civile për qytetin e Parisit.

Emri i Castets u prezantua nga Fronti i Ri Popullor pasi shënoi një fitore në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, por Macron e hodhi poshtë menjëherë ofertën e saj. Castets është e panjohur për publikun e gjerë dhe nuk ka përvojë paraprake në politikë.

Një tjëtër emër është Bernard Cazeneuve, i cili shërbeu si kryeministër në fund të presidencës së François Hollande, nga Dhjetori 2016 deri në Maj 2017 – mandati më i shkurtër në historinë moderne franceze. Është e paqartë nëse emërimi i Cazeneuve do të kënaqte mjaft ligjvënës me prirje të majtë për të parandaluar një mocion mosbesimi.

Xavier Bertrand, një konservator nga një koalicion të qendrës së djathtë ka mbajtur gjithashtu postin e ministrit të Shëndetësisë dhe Punës nën presidencën e Jacques Chirac dhe Nicolas Sarkozy. Ai ka kundërshtuar rritjen e ekstremit të djathtë pavarësisht transformimit të Tubimit Kombëtar të Marine Le Pen në vitet e fundit.

Bertrand ka marrë gjithashtu mbështetje nga brenda radhëve pro Macron. Kushdo që të emërojë presidenti francez Emmanuel Macron do të përballet me një punë të vështirë, me miratimin parlamentar të buxhetit të vitit 2025, në një kohë kur Franca është nën presionin e Komisionit Evropian si dhe tregjeve të bonove për të ulur deficitin.

Klan News